Diskutimet e shkencëtarëve në lidhje me probabilitetin e rënies së një tërmeti të fuqishëm në rajonin e Rift Nankai, pranë kryeqytetit japonez, po vazhdojnë tashmë prej një kohe të gjatë. Mediat japoneze dhe ndërkombëtare madje e kanë quajtur tërmetin e mundshëm në rajon si ngjarjen më të pritur dhe më të mundshme të dhjetëvjeçarit. Tërmeti i mëparshëm katastrofal në Japoni në mars të vitit 2011 dhe cunami që e pasoi atë treguan se edhe kombi më i përparuar teknikisht mund të jetë i dobët, i pambrojtur dhe i papërgatitur përpara dukurive natyrore. Vlen të përmendet se deri në vitin 2011 në Japoni shpesh qarkullonin fjalë se informacioni mbi kërcënimin në rritje të kataklizmave natyrore nuk është i vërtetësishëm. Kjo ka bërë që shumë njerëz të mos e marrin seriozisht situatën, ta neglizhojnë atë, çka solli si rezultat rëndimin dhe rritjen e pasojave të tërmetit të marsit, sugjeron Drejtori i Institutit të Parashikimit të Tërmeteve të Moskës, Aleksandër Sollovjov:

- Në mars të vitit 2011, në aspektin e paralajmërimit të qytetarëve, në Japoni çdo gjë ishte bërë në kohë, por njerëzit e morrën këtë jo shumë seriozisht. Ndërkohë i duhet dhënë vetes llogari e duhet të jemi të vetëdijshëm se madje edhe metodat më moderne të parashikimit të tërmeteve nuk mund të përcaktojnë dot datën e saktë. Domethënë njerëzit, si dhe më parë, do të jenë të prekshëm nga dukuri të mundshme natyrore. Gjëja më e rëndësishme është t’i kushtohet vëmendja e duhur informacionit paralajmërues.

Shkencëtarët po përpiqen të bashkohen për të shkundur politikanët dhe qeverinë. Sepse nëse njerëzit do të paralajmërohen në lidhje me ngjarjet e pritshme, ata në nivelin e subkoshiencës do të fillojnë të përgatiten për t'u përballur me rreziqet potenciale dhe do të kenë shumë më tepër shanse për të mbijetuar. Sipas mendimit të ekspertëve, botimi i këtij parashikimi flet për faktin se qeveria japoneze është e gatshme të nxjerrë mësime nga gabimet e mëparshme.

Por ekspertët vërejnë në këtë hap të qeverisë dhe njëfarë loje politike. Në sfondin e vështirësive ekonomike qeveria, duke përhapur informacionin për tërmetin e ardhshëm, llogarit të mbjellë në mendjen e votuesit idenë se janë të mundshëm edhe skenarë të tjerë më të këqinj të ngjarjeve se sa kriza ekonomike dhe rritja e taksave, që aktualisht ndodhen në qendër të vëmendjes së opinionit publik, sugjeron eksperti rus Valeri Kistanov:

- Katastrofa teknologjike detyroi rishikimin e prioriteteve në të gjitha fushat e Japonisë, qoftë kjo ekonomia, politika apo jeta sociale. Dhe, kryesisht, ajo tregoi se Japonia nuk ishte e përgatitur për përballimin me fatkeqësi të tilla. Ky ishte një shok, i cili goditi para së gjithash imazhin e qeverisë. Më vonë doli se ajo ka fshehur madje dhe informacionin në lidhje me përhapjen e zonës së rrezatimit. Qeveria aktuale përpiqet të jetë proaktive. Në mënyrë që të përgatitet vendi për përballjen me fatkeqësitë natyrore nevojiten fonde suplementare nga buxheti, të cilin qeveria po përpiqet ta mbushë në momentet aktuale, në radhë të parë, me ndihmën e ligjit për rritjen e taksave. Ndoshta kjo do ta ndihmojë udhëheqjen e vendit për të marrë një mbështetje më të gjerë për masat e saj jopopullore.

Shkencëtarët paralajmërojnë se qeveria do të duhet të marrë masa shtesë dhe të bëjë shpenzime të reja për të reduktuar rrezikun e katastrofës dhe për të minimizuar pasojat e saj.