Mesazhi u lexua në përvjetorin e 20-të të Kushtetutës së Rusisë, dhe prandaj, në radhë të parë, Kryetari i shtetit theksoi rëndësinë e veçantë të Ligjit Bazë. Bashkë me këtë ai vuri në dukje se procesi kushtetues nuk mund të konsiderohet si i finalizuar përfundimisht. Rregullimet, korrektimet e tij janë të mundshme, por ndonjëherë madje dhe të nevojshme.

Vladimir Putin bëri thirrje për zhvillimin e konkurrencës politike, për sjelljen e qeverisë lokale në përputhje me kërkesat bashkëkohore si dhe për debat të gjerë publik në lidhje me çështjet kyçe. Ai gjithashtu foli për problemin e migrimit, i cili shqetëson miliona rusë. Propozimin e Presidentit, për të ndaluar hyrjen në Rusi për ata që kanë shkelur rregullat e qëndrimit në vend, Asambleja Federale e priti me duartrokitje.

Putin i kushtoi një vëmendje të veçantë në mesazhin e vet situatës ndërkombëtare, duke përfshirë edhe "tehet më të mprehta" të saj, dhe pjesëmarrjes së Rusisë në zgjidhjen e problemeve. Presidenti bëri thirrje për respektimin rigoroz të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe paralajmëroi mbi pasojat, me të cilat është e mbarsur shkelja e tyre.

- Kohët e fundit ne kemi parë se si përpjekjet për t’u imponuar vendeve të tjera modelin gjoja më progresiv të zhvillimit janë kthyer, në të vërtetë, në regres dhe gjakderdhje. Kështu ka ndodhur në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut dhe në Siri.

Presidenti shprehu bindjen e vet në domosdoshmërinë e kërkimit të mëtejshëm të rrugëzgjidhjeve që garantojnë zhvillimin e energjetikës paqësore bërthamore të Iranit dhe sigurisë në rajon, duke përfshirë edhe Izraelin. Ai rikujtoi se pikërisht programi bërthamor iranian në kohën e vet shërbeu si argument kryesor për vendosjen e sistemit të mbrojtjes nga raketat në Evropën Lindore. Këto sisteme, sipas mendimit të Putinit, paraqesin kërcënim serioz real për kundërshtarin potencial. Sipas fjalëve të Presidentit, intensiteti i konkurrencës politiko-ushtarake, ekonomike dhe asaj të informacionit në botë nuk po bie, por përkundrazi, po vjen vetëm duke u intensifikuar. Prandaj, tha Putin, "askush nuk duhet të ushqejë kurrfarë iluzioni në lidhje me mundësinë e arritjes së superioritetit ushtarak mbi Rusinë. Ne nuk do ta lejojmë kurrë një gjë të tillë".

Përsa i përket prioriteteve të brendshme, shteti rus në vitet e ardhshme do të ruajë orientimin e vet social, hapjen ndaj shoqërisë të bazuar në vlerat tradicionale, si dhe pikësynimin për të diversifikuar ekonominë.