Forcat speciale ukrainase filluan të lirojnë qendrën e qytetit nga barrikadat gjatë natës së kaluar. Fillimisht ato shkatërruan gardhin e ngritur afër godinës së Bashkisë së Kievit, kurse më pas forcat speciale çanë mburojat e protestuesve nga ana e Sheshit të Evropës. Megjithatë, qasja për në Shtëpinë e Sindikatave, ku është vendosur shtabi i demonstruesve, vazhdon të mbetet ende e bllokuar nga njësitë e vetëmbrojtjes të protestuesve. Sipas informacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, policia nuk po përdor kurrfarë mjetesh të posaçme. Sepse qëllimi kryesor për të është jo shpërndarja e protestuesve, por lirimi i rrugëve qendrore për të rivendosur qarkullimin e transportit publik urban. Por edhe kjo është e mjaftueshme për të shkaktuar pakënaqësinë, zemërimin e Perëndimit, i cili mbështet haptazi opozitën ukrainase.

Në prag në Kiev arritën Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, dhe Nënsekretarja e shtetit e SHBA-së, Victoria Nuland. Ato janë takuar tashmë me autoritetet e vendit dhe krerët e opozitës dhe dhanë të kuptohet fare qartë se anën e kujt mbajnë. Qëllimi i kësaj vizite - detyrimi me forcës i Ukrainës për të nënshkruar marrëveshjen skllavëruese për të me kushtet e diktuara prej BE-së, shprehet me bindje të plotë eksperti për problemet e vendeve të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP/CIS) Igor Shishkin:

- Fakti që ato erdhën tregon se Perëndimi madje as që përpiqet fare për të fshehur ndërhyrjen e vet të hapur në këtë proces. Por gjëja më interesante është vizita e Victoria Nuland. Deri kohët e fundit Shtetet e Bashkuara përpiqeshin të qëndronin në hijen e ngjarjeve në zhvillim në këtë vend. Ndërsa tani situata ka hyrë në një fazë kritike: Polonia dhe burokracia e Brukselit nuk e justifikuan besimin. Dhe porositësit të vërtetë iu desh të dalë nga hija. SHBA-ja nuk arriti të nxjerrë dot gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve. Dhe ja tani Nuland deklaroi hapur mbi interesat amerikane.

Ndërkaq opozita vazhdon të mbrojë territorin e pushtuar në mënyrë të paligjshme. Protestuesit, si dhe më parë, refuzojnë të largohen nga godina e zaptuar e Bashkisë së Kievit. Prej dritareve të saj ata derdhin ujë me zorra lastiku (markuçë) mbi autobusët e policisë, të cilët bllokojnë hyrjen në ndërtesë.