Nëse më parë një njeri "i pikturuar" perceptohej si një ish i burgosur, tani kultura aktuale i shndërron pikturat nënlëkurë pothuajse në art, në të cilin ekzistojnë tendencat e veta dhe frymëzimet moderne. Hollësitë në lidhje me mënyrën e re të të shprehurit të botës së brendshme përmes tatuazhit i tregoi në një intervistë për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" mjeshtri i tatuazheve i salloni "Inkheart" Roma Lis:

- Çfarë lloj njerëzish vijnë tek ju?

- Njerëz të ndryshëm. Sigurisht, pjesën dërrmuese të klientëve tanë e përbëjnë të rinjtë e të rejat. Studentë, njerëz të lidhur me subkulturën, të cilën mund ta quash "rrugore": këtu përfshihen gjëra të tilla si biçikleta, patinat me rrota, skateboards, mbishkruesit - që domethënë diçka huligane. Huligane jo në kuptimin e keq të fjalës, por në kuptimin e shkëputjes, distancimit, izolimit nga shoqëria.

Por vijnë edhe njerëz të cilët i përkasin një brezi tjetër, në të cilin nuk kishte tatuazhe, ndërsa tani ata tashmë u rritën, mbijetuan, ata janë në një moshë të caktuar dhe e kuptojnë se tatuazhi nuk është më një relike e burgut, por është art i vërtetë.

Erdhi tek unë një zonjë, e cila ishte 64 vjeçe dhe ish-kolonele e policisë. Dhe ajo më thotë: "Unë tani jam në një moshë të tillë që gjithçka konsiderohet e mundur! Tani unë me të vërtetë e kuptoj se çfarë domethënë liria". E vetmja gjë për të cilën ajo pendohet është fakti që nuk e bëri një tatuazh kohë më parë.

- Dhe për çfarë arsye njerëzit duan të bëjnë ndonjë tatuazh?

- Arsyet janë gjithashtu të ndryshme. Ndonjëherë vijnë dhe të thonë: "Unë kurrë nuk do të kisha bërë tatuazh nëse nuk do të kisha shenjë apo njollë të lindur, apo tërheqje - domethënë njëfarë difekti në lëkurë. Ndërkohë që ka njerëz, të cilët vetëm duan të theksojnë individualitetin e tyre.

Ja për shembull, dje unë bëra një tatuazh - një lepur karikaturë ngjyrë gri që pret barkun e vet, ndërsa brenda tij ndodheshin qielli blu, dielli, luleshqera, zemra - dhe të gjitha këto me ngjyra. Normalisht klienti ishte një njeri i tillë i thjeshtë, me pamje të zakonshme, por ai më tha: "Unë dua që me këtë tatuazh të tregoj pikërisht se bota ime e brendshme është shumë më e pasur se sa ajo e jashtme". Atë thjesht nuk e lejon puna që bën të rrisë flokët, t’i lyejë ato me ngjyrë të ndezur, për të treguar edhe një herë në njëfarë mënyre se ai është një rebel, por tatuazhi mund ta bëjë këtë.

- Domethënë tatuazhi është në çdo rast një formë proteste? Deri më tani?

- Jo, unë nuk mendoj se është një formë proteste, por një veçori dalluese. Ashtu si targa e makinës, edhe tatuazhi e veçon njeriun nga një tjetër. Më parë, përsëri, kishte momente kur vinin për të bërë tatuazh në mënyrë që t'i bënin sfidë shoqërisë, por kjo ndodhte diku pesë ose gjashtë vjet më parë. Ndërsa tani shoqëria u poq dhe sfida me tatuazhet po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Prandaj përdoren zona të reja për tatuazhe: fytyra, qafa, vendet e hapura.

- Sa kohë keni që merreni me këtë punë?

- Sa nuk më pëlqen kjo pyetje. Kam filluar të merrem me tatuazhe që në shkollë, në klasën e 9-të, por ato ishin tatuazhe të një cilësie të tmerrshme, të një niveli shumë të ulët.

Më pas fillova punë në një sallon në vitin 2000, por kjo ishte vetëm një mënyrë për të bërë para, si student, "një moment për të nxjerrë bukën e gojës". Por pikërisht me tatuazhin si art, në mënyrë që të argëtohem, unë merrem që prej 4-5 vjetësh. Ndërsa konkretisht përvoja ime për vizatimin e tatuazheve... le të themi, jo vizatim tatuazhesh por "prishje e lëkurës së njerëzve", ndoshta është 12-13 vjet.

- Gjatë kësaj periudhe ka pasur tatuazhe që ju janë fiksuar në kujtesë për ndonjë arsye të caktuar?

- Çdo tatuazh i madh të fiksohet në kujtesë. Njerëzit vijnë më shumë se një herë dhe në këtë tatuazh ti investon sasi të madhe kohe, sasi të madhe energjie dhe dashuri për njeriun. Në çdo rast, ti si piktor shqetësohesh për çdo pikturë tënden - prandaj dhe ndryshojnë stilet e artistëve, sepse secili prej tyre zien përbrenda - si ta vizatojë atë më mirë, si të bëjë vijën.

- Po kjo a varet nga klienti? Sigurisht ka njerëz me të cilët nuk është dhe aq e këndshme të punosh?

- Njerëz të tillë është më mirë t’i refuzosh menjëherë. Tani nuk ka më mungesë parash apo numër klientësh, si dhe nuk dëshirohet të bësh diçka "kot më kot". Prandaj nëse një person vjen dhe ne nuk gjejmë me të gjuhën e përbashkët - siç ndodh zakonisht me të rinjtë glamur - unë ose ja kaloj ndonjë mjeshtri tjetër ose thjesht i refuzoj, sepse që në fillim nuk dua të bëj diçka kot.

- Çfarë pikturash dëshirojnë të bëjnë më tepër?

- Ka disa frymëzime të tilla: disa kohë më parë ishin në modë hieroglifet, ne këto hieroglife i kemi bërë nga 150 në ditë! Pastaj doli moda me modele të ndryshme, 2-3 vjet më parë u bënë të modës tatuazhet intime. Tani moda me nënshkrime - në një ditë 5-6 nënshkrime. Kryesisht në latinisht, anglisht, por ka raste dhe egzotike si hindi ose hebraisht.

Por unë nuk e mbështes këtë modë tatuazhesh, sepse kur dikush vjen me një fotografi të ndonjë "Ylli" dhe thotë: "Unë e dua tatuazhin si të Angelina Jolie", unë nuk e kam më të qartë. Angelina Jolie shprehu individualitetin e saj, por pse ti të bësh të njëjtën gjë? Tatuazhi është një gjë kaq intime, është si sytë, gishtat dhe dhëmbët - secili duhet të ketë të vetin të pandarë.

- Natyrisht, te ju vijnë njerëz shumë të ndryshëm, por ata të gjithë i bashkon dëshira për të bërë një tatuazh. Mund të gjesh tek ata diçka tjetër të përbashkët?

- Unë mendoj se po. Kur një person vjen dhe thotë: "Unë e bëj tatuazhin për vete" - kjo në asnjë rast nuk është e vërtetë. Nëse ti jeton në një ishull të pabanuar, ku nuk ka njerëz të tjerë, ti nuk do të bësh ndonjë tatuazh apo jo? Në radhë të parë kjo është e bezdisshme - me gjilpërë në lëkurë, dhe së dyti nuk ke se kujt t’ja tregosh atë! Të gjithë ata që vijnë tek ne mund të bashkohen tashmë në një grup dhe të quhen njerëz që duan të tregojnë individualitetin e tyre.

Tatuazhi është para së gjithash individualitet. Në dush të gjithë janë lakuriq - të gjithë të njëjtë, ndërsa tatuazhi - është pikërisht ajo shkëndijë që e dallon njeriun nga turma.

- Më trego diçka në lidhje me tatuazhet e tua.

- Më parë unë kam pasur më shumë tatuazhe, por tani ato bashkohen në një kompozim të madh. Njëherë kam pasur një rast të tillë, mbërrita në Stavropol dhe u takova me një mjeshër tatuazhi lokal dhe e pyeta: "Po ju vetë keni tatuazhe"? Ai tha: "Po kam një" - zbërtheu këmishën dhe në gjoksin e tij pashë thjesht një lapidar! Ai kishte vetëm duart dhe kokën të bardha, çdo gjë tjetër ishte komplet e mbuluar me tatuazhe. Të gjitha pikturat në trupin tim janë imagjinata ime krijuese, kryesisht disa tema përrallore të luftës midis së mirës dhe së keqes.

Ja, për shembull, këtu është një hero dhe një kalorës, në krah një leprechaun. Por ky tatuazh është ende i papërfunduar, sepse atje duhet të jetë dhe një tjetër leprechaun keqbërës dhe përshkrimi i qytetit, domethënë motivi që përralla të kthehet në jetë dhe të transferohet tek ajo.

10-12 vjet më parë njerëzit mendonin se kukudhët, trolet, vampirët nuk ekzistonin, por tani për tani, kuptohet edhe falë punës sonë, fantazi të tilla mishërohen në jetë: njerëzit tani janë dhe me dhëmbë vampiri dhe me veshë të mprehtë, me brirë, me bisht - me çfarë të duash!