Sipas fjalëve të përfaqësuesit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar të SHBA-së, planet për dislokimin e sistemit të mbrojtjes antiraket në Evropë mbeten të pandryshuara. Me sa duket, këto fjalë dhe duhet të konsiderohen si përgjigje ndaj deklaratës së Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili jo shumë kohë më parë sugjeroi se në qoftë se të gjitha marrëveshjet e arritura me Iranin do të zbatohen në vëllim të plotë, atëhere kjo e bën të panevojshëm krijimin e sistemit të mbrojtjes antiraket të NATO-s në Evropë.

Në fakt, edhe Rusia nuk insiston që vendimi mbi sistemin e mbrojtjes antiraketore të merret që tani. Por disa ekspertë janë të prirur të besojnë se situata me mbrojtjen antiraketore evropiane, me çfarëdo rezultati që të përfundojnë negociatat me Iranin, nuk do të pësojë ndryshime të qenësishme. Ja mendimi i Zëvendësdrejtorit të Institutit rus të SHBA-së dhe Kanada-së, Pavell Zollotarjov:

- Natyrisht, mbrojtja antiraketore evropiane nuk është aspak një reagim ndaj kërcënimit nga Koreja e Veriut apo Irani. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në botën moderne duhet të sigurojnë, para së gjithash, mbrojtjen globale të territorit të vet. Dhe fjalë bëhet mbi rreziqet kërcënuese potenciale pa referim tek shtete konkrete. Por është mëse e qartë se fjalë, në radhë të parë, mund të bëhet për Rusinë dhe Kinën, pavarësisht zhvillimit të situatës politike.

Si motiv zyrtar për ndërtimin e mbrojtjes evropiane antiraket Uashingtoni përmend kërcënimin nga ana e "më shumë se 30 vendeve", por nga kjo 30-she për publikun e gjerë janë të njohur vetëm Irani dhe Koreja e Veriut. Shumë ekspertë i quajnë shqetësimet amerikane në lidhje me këtë çështje tërësisht të sajuara, të sforcuara. Edhe koreanoveriorët, edhe iranianët nuk kanë asnjë arsye për të lëshuar raketa në drejtim të territorit të Evropës. Republika Popullore Demokratike e Koresë (RPDK) është e preokupuar me problemin e vetë-ruajtjes (vetëmbrojtjes). Kurse iranianët duan të zgjerojnë ndikimin e tyre në botën islame. Mjafton një breshëri e vetme në drejtim të kryeqyteteve evropiane për t’i vënë një kryq të madh të gjitha këtyre qëllimeve.

Mbrojtja evropiane antiraket në formën e vet të tanishme nuk përbën kërcënim për potencialin strategjik të Rusisë. Sipas mendimit të një sërë ekspertëve, raketat "SM-3", të cilat përbëjnë bazën e mbrojtjes antiraketore evropiane, nuk kanë as shpejtësinë e duhur dhe as rreze të mjaftueshme veprimi për interceptim (kapje). Në lidhje me këtë fakt disa analistë supozojnë se arsyeja, përse Uashingtoni është aq i etur për të krijuar mbrojtjen antiraketore europiane, qëndron në fushën e financave. Çdo vit amerikanët shpenzojnë për vendosjen e sistemit rreth 10 miliardë dollarë. Ndërkohë që janë shpenzuar tashmë 180 miliardë $. Në dekadën e ardhshme ne duhet të presim një dyfishim të kësaj shume.

Projekti i pafund i mbrojtjes antiraket, përkatësisht kohëzgjatjes së realizimit dhe përmasave të tij, është i aftë që t’i sigurojë një financim të mirë Kompleksit Industrial Ushtarak amerikan, çka është veçanërisht aktuale në kushtet e fillimit të reduktimit të shpenzimeve ushtarake. Nga kjo rezulton se siguria strategjike në Evropë është bërë peng e biznesit oligarkik të SHBA-së.