Sapo ushtarakët, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës dhe forcat speciale policore "Berkut" kuptuan qartë dhe ndjenë se ato nuk do t’i tradhtojnë sërish, "euro pogrom-krijuesve" nuk i mbeti më asnjë shans për të fituar. "EuroMajdani" vdiq. Barrikadat u çmontuan, qeveria po vazhdon të punojë në regjim normal, ndërsa strukturat ushtarake po përgatiten në mënyrë aktive për të rifituar kontrollin mbi ndërtesat e zaptuara prej mbështetësve ekstremistë të BE-së. Ajo që ndodhi në Kiev provon se suksesi i "revolucionit me ngjyra" është i pamundur pa tradhtinë brenda elitës drejtuese. Është mjaft indikative se organizatorët e puçit nuk mundën t’i ndihmonin dot madje as kuratorët e tyre perëndimorë. Pavarësisht deklaratave të Nënpresidentit amerikan Xho Bajden (Joe Biden), Zëdhënëses së Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Catherine Ashton, të cilët kërkuan nga Janukoviç të mos përdorë forcën dhe të ulet në tryezën e bisedimeve, barrikadat u çmontuan. Duke gjykuar nga deklaratat e Kievit zyrtar mund të arrihet në konkluzionin se Viktor Janukoviç është i gatshëm për të negociuar, por vetëm me parashtrimin e kushteve të veta. Me fjalë të tjera, për kapitullimin e tij as që mund të bëhet fare fjalë.

Dështimi i grushtit të shtetit mund të ketë pasoja me ndikim të gjerë, të tilla që shkojnë shumë larg, duhet thënë. Sigurisht, beteja për Ukrainën nuk ka mbaruar ende, por planet e Perëndimit për shndërrimin e Ukrainës në hallkë të "kordonit sanitar", të drejtuar kundër Rusisë, kanë marrë një goditje serioze, të rëndë. Pasoja kryesore e dështimit të grushtit të shtetit - "euro pogrom-krijuesit" ukrainas u deziluzionuan në plotfuqishmërinë e mbështetësve, tutorëve të tyre perëndimorë. Inteligjenca liberale dhe pro-perëndimore e Kievit pati mundësinë e mrekullueshme për t'u njohur më nga afër me aleatët e vet radikalë "me prirje perëndimore" nga provinca, por edhe kjo njohje ka çuar gjithashtu në zhgënjim, frustrim të pritjeve të saj. Në vend të "evropianëve të vërtetë" në qendër të Kievit u mblodhën "euro-lumpenët", të cilët shndërruan lagje të tëra në qendër të kryeqytetit të Ukrainës në njëfarë përzierje të kontejnerit të mbeturinave dhe WC-së publike. Grabitja e paskrupullt e dyqaneve së bashku me rrëzimin dhe prishjen e monumentit të Leninit nuk ua ka shtuar aspak "euro-rebelëve" simpatinë e banorëve të Kievit. Pjesa e arsyeshme, e përgjegjshme e klasës së mesme të Ukrainës u distancua e tmerruar nga pogrom-krijuesit, huliganët që përbëjnë forcën lëvizëse kryesore të "EuroMajdanit".

Nga pikëpamja e interesave të Rusisë, rezultati kryesor i dështimit të grushtit të shtetit ukrainas konsiston në pranimin prej Perëndimit të faktit se "çështja e Ukrainës" nuk mund të zgjidhet pa marrë parasysh interesat e Moskës. Pikërisht kështu dhe duhet perceptuar deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilën Uashingtoni i kërkon Moskës "për të zgjidhur në mënyrë paqësore situatën në Ukrainë". Është krejtësisht evidente se dështimi i EuroMajdanit shënon njëkohësisht edhe fillimin e procesit të gjatë dhe skrupuloz të riformatimit gjeopolitik të Evropës Lindore.