Vala e prirjeve të protestës në Kiev gradualisht po vjen duke rënë. Aksionet agresive të protestuesve në sfondin e heshtjes totale të autoriteteve u zëvendësuan me dëbimin, spostimin e mitinguesve nga rrugët e Kievit prej forcave të sigurisë dhe efektivëve të ruajtjes së rendit dhe tërheqjen e përkohshme taktike të opozitës. Në këtë situatë vendimi për mbajtjen e një "tryeze të rrumbullakët" mbarëkombëtare me pjesëmarrjen e Presidentit në detyrë Viktor Janukoviç, paraardhësve të tij Leonid Kravçuk, Leonid Kuçma dhe Viktor Jushçenko, si dhe përfaqësuesve të partive opozitare duket më shumë si një veprim PR (Public Relations), se sa një përpjekje reale për të përpunuar ndonjë rrugëzgjidhje kompromise.

Specialisti për Ukrainën Bogdan Bezpallko beson se tani opozita, duke nxitur artificialisht lëvizjen e protestës, shpreson në ushtrimin e presionit nga ana e Bashkimit Evropian, i cili mund të kërkojë heqjen dorë nga përdorimi i forcës për zgjidhjen e problemit. Mirëpo në gjendjen e tanishme përdorimi i forcës, madje edhe tejet i kufizuar, është e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza, vuri në dukje në On Air-in e "Zërit të Rusisë" Presidenti i Shoqatës së Veteranëve të Forcave Speciale kundër terrorizmit "Alfa" Sergei Gonçarov.Sipas mendimit të tij, në rast të kundërt Janukoviç nuk mund të shpresojë më për kolltukun e presidentit:

- Nëse Viktor Janukoviç është i gatshëm për të konfirmuar plotfuqishmëritë e veta presidenciale dhe dëshiron të mbetet në këtë post, atëhere ai duhet të marrë disa masa. Kurse masat në këtë rast janë pa alternativë tjetër - zhbllokimi i qendrës së qytetit prej protestuesve dhe ndalimi i grumbullimit të njerëzve në Sheshin e Pavarësisë (Majdan).

Përsa i përket përfaqësuesve të BE-së, të cilët po demonstrojnë haptazi solidaritetin e vet me protestuesit, në qëndrimin e tyre, duhet thënë, evidentohet në mënyrë mëse të qartë dëshira për ta përdorur krizën politike ukrainase në favor të interesave të veta, deklaroi në On Air-in e Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" Drejtori i Qendrës ruso-ukrainase të Informacionit, Oleg Bondarenko:

- Politikanët perëndimorë duket fare qartë se duan të përsërisin situatën e Majdanit të vitit 2004. Atëhere gjithashtu një numër i madh politikanësh evropianë ofruan veten e tyre si ndërmjetësues negociatorë në Kiev. Dhe ne e mbajmë mend fort mirë se si përfundoi kjo - si rezultat fitoren e korri opozita. Tani një situatë e tillë mund të përsëritet.

Ndërkohë, ekspertë të tjerë nuk janë të prirur për të pritur përsëritjen e ngjarjeve të vitit 2004 në Ukrainë. Siç sugjerohet nga Bogdan Bezpallko, këtë herë opozita ukrainase nuk ka gjasa për të fituar ndonjë mbështetje të gjerë nga ana e Perëndimit, në radhë të parë, për shkak të përçarjes së saj.