Mbi ekzistencën e programeve të mbikëqyrjes u bë e ditur nga demaskimet publike të ish-bashkëpunëtorit të Agjencisë Kombëtare amerikane të Sigurisë (NSA), Edward Snowden. Siç rrjedh prej tyre, çdo ditë sistemet e mbledhjes së të dhënave të NSA-së (përfshirë edhe PRISM) përgjonin e regjistronin rreth 1.7 miliardë biseda telefonike dhe e-mail-e si dhe gati 5 miliardë shënime mbi vendndodhjen dhe lëvizjet e pronarëve të telefonave celularë në mbarë botën. Pavarësisht skandalit që plasi, autoritetet amerikane pretendojnë dhe deklarojnë se veprime të tilla janë plotësisht ligjore - dmth, korrespondojnë me legjislacionin e brendshëm të SHBA-së.

Në të njëjtën kohë, mbikëqyrja, përgjimi dhe thyerja e paligjshme e postës elektronike nuk janë gjë tjetër veçse instrumente. Një nga objektivat kryesore, të cilat arrihen me ndihmën e shërbimeve të tyre sekrete, është manipulimi i opinionit publik, mendon Kreu i Departamentit rus të luftërave informative të Laboratorit të zhvillimeve premtuese, Igor Njezhdanov:

- Në vitin 2010 agjencitë e zbulimit të SHBA-së kanë lansuar dy studime mbi mundësitë e përdorimit të informacionit të rrjeteve sociale për nevojat e shtetit. Studimi i parë - ky ka të bëjë me evidentimin e të ashtuquajturave situata krize. Në bazë të të dhënave të këtyre burimeve merreshin vendimet në lidhje me prezencën e kërcënimit potencial, mundësitë e lindjes së tij, rritjes së krizës - duke përfshirë edhe atë sociale. Drejtimi i dytë - ky është identifikimi i grupeve të qëndrueshme sociale. Kur ata filluan të veprojnë, u bë mëse e qartë se po aq lehtë ata do të mund të përdoren edhe në lidhje me një shtet tjetër.

Në Rusi, për fat të keq, arritën të perceptojnë me vonesë se hapësira kibernetike (cyberspace) është gjithashtu një territor i vetë shtetit, burim që mund të përdoret prej armikut në dëm të shtetit. Tani, sipas fjalëve të ekspertëve, punimet kryesore po zhvillohen në drejtimin teknik - domethënë për garantimin e mbrojtjes kundër viruseve, DDoS sulmeve. Ndërsa punët për zhvillimin e mbrojtjes së njerëzve prej manipulimit, ç’është për të ardhur keq, janë në fazën fillestare. Shembulli i spikatur, mjaft evident duhet thënë, i njëpërdorimi të tillë të "armës kibernetike" mund të vërehet sot në Ukrainë. Po ushtrohet një presion aktiv mbi shoqërinë nëpërmjet shërbimeve sociale, përhapen dezinformata.

Disa instrumente për luftimin e sulmeve të tilla "psikologjike" në Rusi tashmë janë zhvilluar, thotë Igor Njezhdanov:

- Ne tani kemi përfunduar zhvillimin e kompleksit, i cili lejon si identifikimin e sulmeve të informacionit, ashtu dhe ushtrimin e ndikimit nëpërmjet përhapjes së informacionit. Në fazën finale do të përftohet produkti që lejon kundërshtimin dhe parandalimin e sulmeve të informacionit nga jashtë.

Është, sigurisht, ende herët të flitet për kontrollin e plotë të shtetit mbi "ndërhyrjen virtuale" potenciale në territorin e vet. Dhe, për sa kohë që një armë e tillë mbrojtëse është në procesin e zhvillimit, mjet kryesor mbetet qëndrimi kritik i qytetarëve ndaj informacionit të marrë.