Në vendin e ndërtesave administrative po vazhdojnë të vijnë ende njerëz. Ndërkohë në Parkun Mariinskij po mblidhen pjesëmarrësit e tubimit në mbështetje të Partisë së Rajoneve.

"E hëna, 9 dhjetori, duhet të bëhet ditë vendimtare për Ukrainën", - thanë në vigjilje liderët e opozitës ukrainase Arseni Jacenjuk dhe Oleg Tjagnjibok në mitingun masiv të radhës. Gjatë natës barrikada të reja u ngritën pranë godinës së Kabinetit të ministrave, Administratës presidenciale, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Verhovna Rada. Demonstruesit i lejojnë tani për tani punonjësit të kalojnë në ndërtesat e sipërpërmendura, por një situatë e tillë nuk mund të zgjasë pafundësisht, thotë Zëvendëskryeministri ukrainas Sergei Arbuzov:

- Rezervat tona do të mjaftojnë për një periudhë të caktuar. Më tej vendi duhet të punojnë. Kur studentët nuk mësojnë, njerëzit nuk punojnë, GDP-ja nuk rritet dhe qarkullimi tregtar rezulton në rënie, ky, sigurisht, do të jetë fillimi i fundit.

Siç mendojnë ekspertët, rrugëdalje nga një situatë e tillë mund të bëhet negocimi i autoriteteve pushtetore dhe opozitës. Për këtë bëjnë thirrje edhe politikanët ukrainas. Por opozita nuk është e gatshme për dialog, shprehet me bindje të plotë Shefi i Departamentit për Ukrainën të Institutit rus të vendeve të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP apo CIS) Kirill Frollov:

- Unë besoj se dialogu midis autoriteteve dhe opozitës është i pamundur. Sepse përfaqësuesit e kësaj të fundit, protestuesit pra, janë njerëz destruktivë. Ata rrëzuan jo vetëm monumentin e Leninit, por shkatërruan e bastisën edhe një dyqan të zakonshëm. Të gjitha deklaratat e justifikimet e udhëheqësve të opozitës, se këto paudhësira i bëjnë ekstremistë të panjohur, nuk i qëndrojnë asnjë kritike. Opozita është përgjegjëse për grabitjet, për Kievin e shkatërruar dhe të paralizuar totalisht.

Ndërkohë, politikanët evropianë dhe amerikanë vazhdojnë të nxisin e të inkurajojnë lëvizjen e protestës dhe i bëjnë thirrje ukrainasve për rezistencë, për konfrontim. Ata do të vazhdojnë ta mbështesin opozitën e Ukrainës edhe më tej, pavarësisht nga fakti se mjetet, me ndihmën e të cilave veprojnë aktualisht protestuesit, nuk përshtaten kurrsesi me konceptin e demokracisë evropiane, mendon Drejtori i Qendrës informative ruso-ukrainase Oleg Bondarenko:

- Opozita përfaqëson interesat e elitave të këtyre vendeve. Dihet tashmë fort mirë se Vitali Kliçko (Klitschko) mbështetet intensivisht nga Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle.

Për të parandaluar nxitjen e mëtutjeshme të protestave nga jashtë, deputeti nga Partia e Rajoneve Oleg Carjov kërkoi prej Ministrisë së Jashtme që të ndalojë hyrjen në vend të atyre personave që mund të mbështesin protestat anti-qeveritare, domethënë - "konsulentëve të huaj politikë dhe specialistëve të aktivitetit të protestës".