Nga dritarja e makinës shikoj Damaskun - një nga qytetet më të vjetra të botës. Në rrugë ka shumë gra. Pjesa më e madhe e këtyre femrave mbajnë në kokë shami, që u mbulon pjesën e poshtme të fytyrës, dhe janë të veshura me pallto deri në fund të këmbëve. Një pjesë e mirë e tyre, kryesisht femra të reja, janë të veshura në stilin evropian, me kokat e zbuluara (pa shami) dhe me makiazh të ekzagjeruar, do të thoja, në fytyrë. Dhe është krejtësisht evidente se të gjitha variantet perceptohen në mënyrë mëse normale: askush nuk i fishkëllen nga pas vajzat me flokët të lëshuara supeve dhe nuk përpiqet t’u bëjë atyre "moral" për t’i sjellë në rrugë të drejtë. Askush nuk distancohet dhe nuk i paragjykon gratë me hixhabë. Madje më tepër se kaq, shoqëritë e grave në tavolinat e kafeneve apo në stolat e parkut mund të përbëhen edhe nga të parat, edhe nga të dytat, pra, janë të përziera.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për meshkujt, veçse me ndryshimin e vetëm se numri i të veshurve ala-evropiançe është më i madh. Në rrugët shikon shumë çifte - të reja, të moshës së mesme dhe të moshuar. Pijet alkoolike shiten edhe në dyqane të zakonshme, edhe në dyqane specialiteti, ato shërbehen në kafene dhe restorante. Damasku në mënyrë mëse evidente nuk kuadrohet në kanonet e "Islamit të pastër", ndërsa pikërisht Damasku dhe, në përgjithësi, të gjitha qytetet e mëdha janë ato që përcaktojnë, në fund të fundit, prirjet, disponimin e Sirisë. Kjo është e plotësisht e kuptueshme në qoftë se do të kujtojmë historinë e vendit: Siria - udhëkryq i përjetshëm itineraresh, vend zejtarët, treg dhe port që nga kohërat e Fenikisë së lashtë, trashëgimtarë të së cilës e konsiderojnë veten sirianët, e deri në ditët e sotme. Kjo e dallon shumë vendin nga Irani, ku në kohën e vet Revolucioni Islamik u bë i mundur për shkak se Teherani u shkëput si shumë nga provinca tradicionale, duke mos patur gjatë kësaj atë peshë që ka në Siri Damasku.

Feja mbizotëruese në Siri është Islami, por pavarësisht nga kjo atë nuk mund ta quash kurrsesi një vend islamik. Brenda xhamisë së lashtë Umayyad, në të cilën, sipas legjendës, duhet të ndodhë Ardhja e dytë e Krishtit, ruhen mbetjet mortore të Gjon Pagëzorit. Dhe prezenca atje e pelegrinëve të krishterë - orthodhoksë dhe katolikë - nuk habit askënd. Në dyert e shtëpive në Damaskun e vjetër mund të të zërë syri edhe kryqin, edhe gjysmëhënën, edhe mogendovidin - në këtë qytet ekziston edhe komuniteti hebre. Besimi në Damask është një çështje krejtësisht private.

Tempujt e Damaskut, Homs, Aleppo, Tartous dhe qyteteve të tjera me pjesë dominuese të popullatës së krishterë i kanë mbledhur tradicionalisht njerëzit që donin të faleshin për t'u lutur deri sa "ata" - kështu i quajnë në Siri pasuesit e Islamit të pastër me mjekra të mëdha në formë të çuditshme - nuk kanë vendosur se një gjendje e tillë e punëve bien në kundërshtin me perceptimin e tyre të drejtësisë (pikëpamjen e tyre për rregullin e gjërave).

Tempujt i nënshtrohen tani zjarrit të masivizuar me minahedhës, ata i hedhin në erë me mina tokësore ose me ndihmën e makinave-bombë, apo, thjesht, i përdhosin, duke mos harruar gjatë kësaj të fajësojnë për të gjitha këto bëma e mëkate ushtrinë e rregullt.

Zjarrit me armë nga ana e terroristëve u nënshtrohen edhe shenjtëroret myslimane, të themi, po ajo xhami e lashtë Umayyad. Një shkëmbim tjetër kaotik zjarri me armë mori jetët e katër personave dhe plagosi rreth 20 të tjerë më 29 tetor, të premten, në ditën e shenjtë për myslimanët. Mina ra mu në kalldrëmin pranë murit të xhamisë.

Pse nuk u shpërbë ushtria siriane? Këtë pyetje unë ia drejtova në Siri bashkëbiseduesve të mi të ndryshëm. Shumica e popullsisë sunite, e cila plotëson radhët e një pjesë të konsiderueshme të ushtarakëve, lejonte të presupozohej një mundësi e tillë - të paktën në kohën kur kjo fjalë në Siri nuk ishte e lidhur ende në mënyrë të vendosur me nocionet e "terrorizmit" dhe "vrasjes së banorëve paqësorë". Përgjigja në përgjithësi ishte pothuajse e njëjtë: të gjithë skenarët e mundshëm të zhvillimit të ngjarjeve në këtë rast ishin për ushtarakët sirianë dhe shoqërinë në tërësi më keq se sa sistemi i Bashar Al- Assadit. "Ne kemi një udhëheqje mjaft të ashpër, - më thonin mua bashkëbiseduesit, - por Assad e kupton për mrekulli se ku janë kufijtë e të lejueshmes dhe se njerëzit kanë nevojë për hapësirën ​​"për vete", për të fituar të ardhura, për jetën. Kundërshtarët e tij, duke asgjësuar të krishterët dhe madje myslimanët që nuk pajtohen me ta, tregojnë qartë - shikoni, hapini mirë sytë, ne do ta bëjmë këtë në mbarë vendin kur të vijmë në pushtet".