Listvjanka është vendosur në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit. Vendi për observatorin astrofizik nuk është zgjedhur krejt rastësisht. Këtu është klima më e përshtatshme për të vëzhguar Diellin.

Nëpërmjet galerisë 40-metërshe me anë të një sistemi të tërë pasqyrash imazhi i Diellit reflektohet në ekranët e qendrës operative. Për fuqinë e teleskopit flet vetë fakti se me ndihmën e tij në Diell mund të vështrohen madje edhe zona me një diametër deri në 200 kilometra. Dhe kjo pavarësisht faktit që distanca nga Toka deri në Diell është 140 milionë kilometra.

Për punën shkencore nevojiten pajisje të cilësisë dhe precizionit të lartë, të cilat janë të pagabueshme. Kamera e zakonshme nuk është në gjendje të transmetojë në mënyrë të saktë spektrat e Diellit. Të dhënat e përpikta shkencore në lidhje me atë që ndodh në sipërfaqen e ndriçuesit të madh të Tokës sonë mund të merren vetëm me anë të pajisjeve të posaçme, thotë Shefi i Observatorit Astrofizik të Bajkalit, Aleksandër Borovik:

- Akademia e Shkencave ka akorduar një shumë të madhe të hollash për riparimin e teleskopit me vakuum. U konstruktua dhe teleskopi diellor për parashikimet operative. Kurse tani po ndërtohet edhe një teleskop i ri për të përcaktuar fushën magnetike.

Tani në Listvjanka funksionojnë pesë teleskopë të rinj. Me ndihmën e teleskopit diellor të parashikimeve operative mund të gjurmohen stuhitë magnetike. Pasi çdo shpërthim në Diell pas dy ditësh shndërrohet në stuhi magnetike në Tokë. Kjo ndikon në valët e radios, punën e sistemit të navigacionit GPS, në faktin se si e ndjen veten njeriu (sidomos personat meteopatë). Stuhia magnetike mund të dëmtojë elektrostacionet dhe madje të shkaktojë aksidente në tubacionet e naftës.

Sipas parashikimeve shkencore, në dy vitet e ardhshme do të vëzhgohet maksimumi i aktivitetit diellor në ciklin e tij të zakonshëm 11-vjeçar. Por nuk duhet të shqetësohemi dhe t'i trembemi kësaj, konfirmojnë me bindje shkencëtarët. Sepse madje edhe kjo amplitudë maksimale do të jetë 2 herë më e vogël se sa ajo paraardhëse. Prandaj dhe parashikimet, për gjithëfarë katastrofash të pritshme, nuk janë gjë tjetër veçse spekulime e manipulime.