Ndërkohë, demonstratat në qendër të Kievit vazhdojnë, por në Majdan (në Sheshin e Pavarësisë), po mbeten gjithnjë e më pak njerëz: kryesisht këta janë "banorë" të kampit me çadra. Kurse në afërsi të ndërtesës së Verhovna Rada po mbahen mitingje të mbështetësve të partisë në pushtet.

Në mëngjesin e 6 dhjetorit pjesëmarrësit e aksionit të protestës në Sheshin e Pavarësisë (Majdan Nezalezhnosti) prisnin shpërndarjen e tubimit. Thashethemet në lidhje me këtë nisën të qarkullojnë në prag. Pasi pritën më kot ardhjen e efektivëve të policisë apo forcave speciale "Berkut", pjesëmarrësit e zhgënjyer të "EvroMajdanit" braktisën barrikadat dhe u nisën në drejtim të ndërtesës së administratës presidenciale. Me sa duket, opozitarët tani po përpiqen me të gjitha mënyrat për të mbajtur gjallë frymën e rezistencës, zjarrin e protestës që po vjen duke u venitur gradualisht. Njerëzit janë të lodhur nga tubimet, kurse opozita, e cila nuk ka asnjë plan të qartë, konkret veprimi, thjesht po humbet fuqinë. Përveç thashethemeve dhe deklaratave të bujshme, organizatorët po përpiqen t’i frymëzojnë protestuesit, tashmë të paktë në numër, me deklaratën mbi krijimin e qeverisë së pavarur.

Ndërkaq, duhet thënë, se asnjë nga kërkesat e pjesëmarrësve të "EuroMajdanit" deri tani nuk ka provuar arsyeshmërinë, qëndrueshmërinë e vet: sipas rezultateve të votimit në Verhovna Rada (Parlament) qeveria nuk u detyrua të japë dorëheqjen. Edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të kërkuara me këmbëngulje nga opozita, gjithashtu nuk mund të bëhet fare fjalë. Ja se çfarë deklaroi në lidhje me këtë Zëvendëskryeministri i parë i Ukrainës, Sergei Arbuzov:

- Mjete financiare buxhetore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme nuk ka. Dhe përse duhet ta bëjmë ne këtë në fund të fundit? Ne po punojmë, po punon edhe qeveria, edhe Presidenti. Unë mendoj se zgjedhjet nuk janë aspak të nevojshme.