A është vallë kështu në të vërtetë?

Opinioni i vëzhguesit politik çeke Millan Dvorzhak (Milan Dvořák):

- Në Republikën Çeke ndjekin me vemendje të përqendruar atë që po ndodh aktualisht në Ukrainë. Mos harroni, ne e konsiderojmë veten pionierë të "Partneritetit Lindor", i cili përfshin gjashtë vende post-sovjetike, ndër të tjera edhe një shtet të tillë të madh si Ukraina. Dhe samiti i parë i "Partneritetit Lindor" është mbajtur pikërisht në Pragë.

Ajo që po ndodh sot në Kiev është "Revolucioni Portokalli-2013", apo diçka tjetër?

- Padyshim, ekziston një lidhje ideologjike midis këtyre protestave. Por ne e dimë se në Ukrainë, po ashtu si dhe në të gjithë Evropën, kalon linja që e ndan atë, duke u shprehur relativisht, në Perëndim dhe në Lindje. Një pjesë e popullsisë së Ukrainës i mban sytë nga Rusia, ndërsa pjesa tjetër e shikon veten vetëm e vetëm si pjesë të Evropës së Madhe.

Por, nganjëherë duket sikur ideja evropiane është rrënjosur në mendjen e të gjithë ukrainasve.

- Jo, kjo është një përshtypje mjaft e gënjeshtërt. Një konfirmim i tillë ka të bëjë me pjesën më masive dhe më aktive të protestuesve - në Kiev, Ivano-Frankovsk, dhe qytete të tjera perëndimore ukrainase.

Ekonomia e Ukrainës rezulton e zhytur në krizë, është plotësisht i mundshëm falimentimi (default). Përse i duhet BE-së afrimi edhe më i ngushtë i partnerëve të tillë me probleme serioze financiare si Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia? Mos ndoshta ai dëshiron të zgjerojë me çdo kusht ndikimin e vet?

- Sigurisht, BE-ja është e interesuar në përhapjen e ndikimit të vet në vendet post-sovjetike. Përpjekje veçanërisht të mëdha për arritjen e këtij qëllimi po ndërmerr Evropa Lindore. Pa vini re, për asocimin e Ukrainës në BE nuk preokupohen fort dhe nuk e vrasin mendjen Portugalia apo Holanda. Por, po e përsëris edhe një herë, fjalë për anëtarësimin në BE nuk bëhet. Të paktën, për Ukrainën rreth 50 milionëshe, e cila është përçarë nga kontradiktat ideologjike dhe ndodhet në një gjendje të tmerrshme financiare. Të themi, Moldavinë e vogël Bashkimi Evropian edhe mund ta "asorbonte". Por kurrsesi jo Ukrainën e sotme.

Në fakt, ne tani jemi dëshmitarë okularë të kapërthimit, përleshjes gjeopolitike midis Brukselit dhe Moskës për hapësirën post-sovjetike. Si mendoni Ju, me çfarë rezultati do të përfundojë ajo? Do të humbasë vallë Rusia ndikimin e vet në këtë rajon?

- Unë nuk kam në dorë sferën e kristaltë magjike që të mund të parashikoj ngjarjet e ardhshme, por diçka brenda meje më thotë, meqenëse unë ndjek me shumë vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë, se administrata ukrainase do t’i rezistojë presionit. Dhe fitorja taktike do t’i përkasë Rusisë. Kurse vizionin strategjik për perspektivën e të ardhmes së Ukrainës nuk marr guximin ta parashikoj.