Këtë grua në Kajro e quajnë "mbretëresha e parashikimeve". Parashikimi i të ardhmes në Egjipt është një zanat i lashtë dhe fort i nderuar. Por egjiptianët janë të prirur t’u besojnë jo të gjithë njerëzve që merren me parathënien e profecive. Kurse ato që thotë Joy Ayyad shumë banorë të Egjiptit i marrin seriozisht.

Joy Ayyad është një grua e mirëarsimuar. Ajo ka kryer studimet Bachelor në Institutin e Artit francez, por vokacion i Joy Ayyad janë astrologjia dhe numerologjia. Parashikimet e kësaj orakulle publikohen që prej gati një dekade. Dhe, siç konfirmojnë admiruesit e shumtë të saj, gjërat e parathëna nga ajo mishërohen me të vërtetë në jetë me një saktësi të habitshme.

Por famën e vërtetë Joy Ayyad e fitoi, ndoshta, vetëm këtë vit, kur ajo parashikoi përmbysjen e Presidentit Mohammed Mursi. Dhe, duhet thënë, se e bëri ajo këtë në kohën kur pozitat e presidentit egjiptian dukeshin krejtësisht të palëkundshme. Megjithatë parashikuesja me këmbëngulje të madhe parathoshte nga ekranët e TV largimin e pashmangshëm, sipas mendimit të saj, të Mursi. Drejtuesit e emisioneve televizive në përgjigje buzëqeshnin në mënyrë skeptike. Si përfundim, skeptikëve iu desh të pranojnë disfatën e vet.

"Zëri i Rusisë": A mund të përmendni disa nga parashikimet tuaja të kohëve të fundit që kanë dalë të vërteta?

Joy Ayyad: Unë kam parashikuar sulmin terrorist në një kishë të Aleksandrisë dhe vdekjen e Nënpresidentit të Egjiptit Omar Sulejman, tërmetin në Iran dhe uraganin në Shtetet e Bashkuara. Të gjitha këto janë fiksuar dhe postuar në faqen time në Facebook.

Unë parashikova gjithashtu se Ministri i Mbrojtjes i Egjiptit, gjenerali Abdul Fatah Al Sisi, i cili në fund të qershorit dhe fillim të korrikut mbështeti demonstratat masive për përmbysjen e Mursi, do të fitojë popullaritet të madh. Dhe kjo ndodhi me të vërtetë. Të gjitha këto unë i parashikova që disa muaj para revolucionit të 30 qershor.

"Zëri i Rusisë": Po çfarë na pret neve në të ardhmen?

Joy Ayyad: Meqenëse po e shpreh këtë për "Zërin e Rusisë", unë mund të parashikoj - dhe këtë po e them për herë të parë - se Rusia do të ketë një ndikim të madh në botë, shumë më të madh se sa Amerika dhe Kina. Egjipti do të rifitojë sërish pozitat e liderit në mesin e shteteve arabe. Egjipti dhe Rusia do të krijojnë një aleancë të fortë. Fqinjët e Egjiptit i presin kohë të vështira. Do të ketë një revolucion të dytë në Tunizi dhe ndryshim të qeverisë në Libi.

Në rajonin tonë do të ndodhin gjithashtu fatkeqësi (kataklizma) natyrore. Për shembull, në Egjipt do të bjerë dëborë. Do të ketë përmbytje në Arabinë Saudite, ka shumë të ngjarë në Jeddah.

Në vitin 2014 harta e botës do të ndryshojë - dhe ky fakt do ushtrojë ndikim, ndër të tjera, edhe mbi Rusinë. Rusia do të parandalojë një sulm të madh terrorist. Kjo do të ndodhë falë strukturave të saj ushtarake të sigurisë dhe disa teknologjive të caktuara, për të cilat ne nuk jemi ende në dijeni.

Në përgjithësi, në botë së shpejti shumë gjëra kanë për të ndryshuar. Të gjitha ngjarjet e rëndësishme, që parapërcaktuan fillimin e epokës së re, tashmë kanë ndodhur në vitin 2013. Tani për tani shumë nga këto ngjarje janë mbajtur të fshehura nga njerëzit, por më vonë ne do të mësojmë rreth tyre. Ne të gjithëve na presin kohë të reja. Dhe ato tashmë po vijnë.