Më 17 janar autori i krimit - ndërsa ky është një mik i Pavell Dmitriçenko, njeri me një të kaluar kriminale - i hodhi acid në fytyrë viktimës. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë krim monstruoz morën afate të konsiderueshme burgimi.

Sergei Filin, viktima e keqdashësve, nuk ishte i pranishëm në shpalljen e aktdënimeve të pandehurve. Ai i është nënshtruar aktualisht kursit të radhës të trajtimit mjekësor në Gjermani. Pasi mësoi për verdiktin Sergei Filin tha si vijon:

- Vendimi, i cili u morr nga gjykata, është ndoshta i vetmi vendim i drejtë dhe i ndershëm. E megjithatë asnjë vendim i gjykatës, asnjë aktgjykim, cilido qoftë ai, nuk mund të më kthejë mua shëndetin tim, të më kthejë sytë e mi.

Që nga momenti i sulmit Sergei Filin-it i janë bërë më shumë se 20 operacione oftalmologjike (në sy). Acidi që i ra në sytë çoi, si rezultat, në humbje të konsiderueshme të shikimit dhe nuk ka gjasa që ai t’i rivendoset plotësisht. Megjithatë trajtimi i shtrenjtë mjekësor i Sergei Filin-it do të vazhdojë. Kështu që kriminelët janë të detyruar me vendim gjyqi për t’i paguar atij kompensimin për dëmin e shkaktuar me shumë prej 3.5 milionë rubla (më shumë se 100 mijë $).

Avokati i Pavell Dmitriçenko dënimin me gjashtë vjet burg për klientin e tij e konsideron një afat të pajustifikuar të madh. Sepse në deponimet e veta në hetuesi Pavell Dmitriçenko ka këmbëngulur se me kryerësit e krimit është marrë vesh vetëm për ta rrahur Sergei Filin-in. Ndërsa autori i krimit ka pranuar se ai vendosi me kokën e vet të përdorë acidin. Dmitriçenko ka dhjetë ditë kohë për të apeluar vendimin e gjykatësve. Por karrierën në skenën e baletit ai, sigurisht, do të duhet ta harrojë.

Fatin e Udhëheqësit artistik të trupës së baletit Sergei Filin dhe atë të solistit kryesor të trupës së baletit Pavell Dmitriçenko gjatë gjithë vitit e kanë ndjekur me vemendje të përqendruar jo vetëm në Teatrin Bolshoi. Kolektivi e përshëndeti në mënyrë të bujshme kthimin në punë të Sergei Filin-it në fillim të vjeshtës. Bashkësia Kulturore i shpreh dhembshurinë dhe simpatinë e vet Udhëheqësit artistik të trupës së baletit dhe i uron atij shërim të plotë. Por edhe Pavell Dmitriçenko-n nuk e lënë pa përkrahje. Në pranverë me një letër të hapur në mbrojtje të Dmitriçenko-s dolën artistët dhe punonjësit e stafit administrativ të Teatrit Bolshoi.