Autoritetet ukrainase duhet të punojnë me popullin. Për këtë deklaroi dje në Bruksel Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry. "Ne i bëjmë thirrje autoriteteve të Ukrainës që t’i vënë veshin zërit të popullit, i cili dëshiron nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian", - shtoi Sekretari Amerikan i Shtetit. Por në realitet ky është mendimi vetëm i një pjese të popullit, ndërsa pjesa tjetër e tij beson se më i leverdisshëm për vendin është bashkëpunimi me Rusinë, komenton Kryetari i Komitetit të Dumës Shtetërore të Rusisë për çështjet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP apo CIS), integrimin euroaziatik dhe marrëdhëniet me bashkatdhetarët Leonid Slluckij:

- Kur zhvillohen sondazhe sociologjike shpesh ndodh kështu që pozicionet në lidhje me çështjet kyçe të politikës së brendshme dhe të jashtme të Ukrainës së sotme i ndajnë në dy grupe ose përafërsish kështu. Dhe, mua më duket, se e vetmja politikë unifikuese është politika që synon mirëqenien, përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve.

Vendet perëndimore i propozojnë Ukrainës të dëgjojë vetëm zërin e asaj pjese të popullsisë që qëndron për integrimin evropian. Edhe pse dështimi i kësaj rruge është krejtësisht evident, madje edhe për vetë politikanët perëndimorë, thotë Kryeredaktori i gazetës "Telegrafi i Kievit" (russ. "Киевский телеграф") Vladimir Skaçko:

- Vetëkuptohet, integrimi është vetëvrasje e vendit. Këtë e pranojnë të gjithë, madje edhe politikanët perëndimorë. Vendimi për pezullimin e asocimit me BE-në, sipas vlerësimeve të Agjencisë Bloomberg, minimizoi rreziqet financiare për Ukrainën dhe i lejoi asaj të shmangë falimentimin (default-in).

Udhëheqja e Ukrainës është e gatshme të rishqyrtojë vendimin e saj për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian. Kurse vetë BE-ja nuk shprehet e gatshme për të hequr dorë nga kushtet fillestare që i paraqiti Ukrainës. Pavarësisht nga qëndrimet kategorike të të dyja palëve, negociatat do të vazhdojnë, mendon anëtari i Komitetit të Këshillit të Federatës Ruse për Çështjet Ndërkombëtare Igor Morozov:

- Parlamenti Evropian do të vazhdojë të negociojë me parlamentarët me prirje opozitare të Ukrainës. Nuk përjashtohet mundësia që Komisioni Evropian të presë zyrtarët ukrainas në përpjekje për të negociuar me ta në lidhje me kushtet e vjetra. Por në çdo rast ky opsion për Ukrainën është qorrsokak i plotë. Sepse, pas asaj që ndodhi në Sheshin e Pavarësisë (Majdan), BE-ja nuk do të ndërmarrë më kurrë ndofarë marrëveshjesh me ekipin e Viktor Janukoviçit.