Ministri i Jashtëm i Libisë Mohamed Abdel Aziz, në një intervistë ekskluzive me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" shprehu shpresën se Ambasada ruse do të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur punën e vet në Tripoli:

- Vendimi për largimin e Ambasadës ruse nga Tripoli u morr në tetor nga Ambasadori i Rusisë. Ne, në emër të qeverisë libiane, shprehëm menjëherë gatishmërinë tonë për të garantuar sigurinë e diplomatëve rusë, për të përforcuar mbrojtjen e Ambasadës dhe për të transferuar bashkëpunëtorët e saj në një hotel të ruajtur mirë. Këta hapa ishin parashikuar si një masë e përkohshme - deri sa të qetësohej situata. Por Ambasadori i Rusisë në Libi shprehu megjithatë dëshirën për t’u larguar në Tunizi së bashku me punonjësit e ambasadës.

Aktualisht ne jemi duke zhvilluar konsultime intensive për kthimin e Ambasadës ruse në Libi. Ne jemi informuar se tashmë është marrë vendimi për kthimin e saj në vend, vetëm se jo më në ndërtesën e vetë ambasadës, por në një nga hotelet mbrojtura mirë.

Ne jemi plotësisht të përgatitur për kthimin e Ambasadës ruse në Libi. Për ne janë mjaft të vlefshme marrëdhëniet me Rusinë. Ajo çfarë ndodhi nuk duhet të ndikojë në këtë marrëdhënie.

Ndjehet qartë se Ju dëshironi kthimin e Ambasadës së Rusisë në vend. Pse?

- Për arsye se përleshjet që ndodhën në mes të grupeve të armatosura libiane, që shërbyen si pretekst për largimin e ambasadës, nuk ishin relevante. Situata është qetësuar tashmë prej kohësh. Dhe ndihet në mënyrë të mprehtë nevoja e zhvillimit të marrëdhënieve midis Libisë dhe Rusisë.

Në shtator, gjatë vizitës Suaj zyrtare në Moskë, Ju thatë se së shpejti të dy rusët, të cilët mbahen të ngujuar në burgun libian që nga viti 2011, do të kthehen në atdhe.

- Libia tregon gatishmëri të plotë për të negociuar me Rusinë në lidhje me marrëveshjen që do të mundësojë kthimin e të burgosurve në atdheun e tyre. Shpresojmë se ne do t’i rifillojmë bisedimet për këtë menjëherë sapo të kthehet Ambasada ruse në Tripoli.

Si i vlerësoni Ju përpjekjet e Rusisë për thirrjen e një konference paqeje për zgjidhjen e konfliktit në Siri?

- Unë mund të shprehem jo vetëm si Ministër i Jashtëm i Libisë, por edhe në emër të Lidhjes së Shteteve Arabe: deri në mars të vitit 2014 Libia është kryetare e Këshillit të Ministrave të kësaj organizate pan-arabe. Ne përshëndesin idenë e mbajtjes së konferencës ndërkombëtare për Sirinë në Gjenevë. Ne qëndrojmë për një zgjidhje paqësore dhe politike të konfliktit në Siri.