Tani është bërë mëse e qartë se autoritetet ekzistuese të Ukrainës do të përpiqen t’i zhvendosin ose t’u mohojnë mundësinë për të ndikuar në ngjarjet që po zhvillohen në vend. Në këtë situatë Presidenti Viktor Janukoviç dhe një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të Partisë së Rajoneve në pushtet kanë arritur tashmë të perceptojnë se kthim mbrapa për ta nuk ka më. Nëse Janukoviç do të humbasë pushtetin, atëhere atë e pret burgu ose fati i Muammar Gaddafit. Edhe personat e rrethit të tij të ngushtë i presin perspektiva analogjike. Për këta mijëra funksionarë, njerëz mjaft besnikë të Janukoviçit, humbja e posteve shtetërore dhe bizneseve do të jenë pasojat më të padëmshme, më qesharake në rast të ardhjes në pushtet të "portokallinjve të rinj".

Në takimin e paradokohshëm urgjent me Presidentin Janukoviç ishin të pranishëm vetëm shokët e tij të idesë, të cilët ia kanë provuar tashmë atij besnikërinë e vet. Kjo sinjalizon se Janukoviç po rresht së kërkuari vendosjen e ekuilibrit në mes të disa grupeve dhe se heq dorë nga kompromiset. Në këtë situatë Presidentit ukrainas do t’i hynte fort në punë pavarësia financiare prej oligarkëve, të cilën ai mund ta arrijë nëse Moska do të lejojë "kalimin, spostimin" e flukseve financiare nga shitja e gazit në Ukrainë nga oligarkët tek Viktor Janukoviç. Thashethemet në lidhje me një zhvillim të tillë të ngjarjeve po qarkullojnë në mënyrë mjaft këmbëngulëse në mjediset pranë-politike të Kievit.

Nëse "eurointegruesit e flaktë" do të arrijnë megjithatë të shtijnë në dorë pushtetin në Kiev, atëherë popullsia e Jugut dhe Lindjes së vendit, e udhëhequr prej "regjionalëve" lokalë, i ka të gjitha motivet për të filluar një luftë civile. Sepse ata s’kanë se çfarë të humbasin më tashmë, pasi qeveria e re në mënyrë të garantuar do t’u marrë atyre pronat dhe lirinë. Që tani vendi rezulton i ndarë në bazë të përkatësisë etnike, gjuhësore dhe politike. Në kushtet e ardhjes në pushtet në Kiev të "autoriteteve qeverisëse" jolegjitime dhe krejtësisht rusofobe, ka shumë mundësi që udhëheqësit rajonalë të Jugut dhe Lindjes të mos i njohin ato dhe të ndërmarrin masa konkrete për ndarjen e rajoneve të veta nga Ukraina. Është krejtësisht evidente se skenari i shpërbërjes së Ukrainës është i mbarsur me rreziqe kolosale për të gjithë lojtarët gjeopolitikë në Evropë. Veçanërisht në periudhën e dimrit, kur nën rrezik mund të ndodhet tranziti i gazit rus për në Evropë nëpërmjet territorit të Ukrainës.

Ngjarjet e ditëve në vijim do të tregojnë se me çfarë rezultatesh do të përfundojë "Pranvera Ukrainase": me ndarjen e vendit apo me konvertimin e Viktor Janukoviçit në një politikan të prerë, të rreptë, i cili do të fillojë të ndërtojë në vend vertikalen e fortë të pushtetit, të çliruar njëherë e përgjithmonë nga ndikimi oligarkik.