Damien Hirst është një figurë mjaft sinjifikante në botën e artit kontemporan. Disa e admirojnë pa masë atë dhe e konsiderojnë si njërin prej piktorëve më me ndikim të botës bashkëkohore, ndërsa të tjerë përkundrazi e trajtojnë me përbuzje. Sidoqoftë, veprat e Hirst ekspozohen në muzetë më të mëdha të artit në mbarë botën, kurse koleksionistët zhvillojnë beteja të vërteta në ankande mes tyre për tabllotë e tij dhe paguajnë për to shuma marramendëse.

Damien Hirst edhe vetë koleksionon vepra të piktorëve bashkëkohorë. Ai pranon se do të dëshironte të "depërtonte në kokat" e koleksionistëve, që blejnë punët e tij, me qëllim që të kuptojë se çfarë ndjesie provojnë gjatë kësaj ata:

"Në atë kohë unë kisha fituar tashmë pak para, ndërsa shumë nga miqtë e mi piktorë ishin pa një grosh në xhep dhe më kërkonin vazhdimisht të holla borxh, - tregon Damien Hirst. - Mua nuk ka kishte fort ënda t’u jepja para hua miqve të mi: nuk isha i sigurt se ata do të mund të mi kthenin ndonjëherë ato dhe druhesha shumë se kjo gjë do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet tona. Një ditë të bukur më feksi në mendje ideja se unë, thjesht, mund t’ua blija punët atyre. Kështu dhe fillova t’i blej vepra arti miqve e shokëve të mi".

Koleksionin e Damien Hirst e quajnë "tejet personal". Hirst i mban mend për mrekulli dhe parapëlqen të tregojnë historitë e pikturave dhe skulpturave të veta. Me kalimin e kohës koleksioni i tij mori përmasa të konsiderueshme dhe koleksionistit i lindi në mendje ideja për t’ia treguar atë shikuesve në mbarë botën.

"Kam një dëshirë jashtëzakonisht të madhe t’u jap njerëzve mundësinë për t’i admiruar ato. Sepse pikërisht atëhere arti jeton. Të vjen gjithmonë mirë kur piktura qëndron e varur në mur, ku njerëzit mund ta shohin atë, se sa kur mbyllet diku në ndonjë kuti e mbulohet nga pluhuri i harresës", - thotë Damien Hirst.

Për fat të keq, në ekspozitën "Liria nuk është gjenialitet" në Muzeun Multimedia Art të Moskës vizitorët mund të shohin vetëm një pjesë të vogël të koleksionit të piktorit. Shikuesit e saj ballafaqohen me një zgjedhje të vështirë: ata mund të admirojnë thjesht veprat e mjeshtrave më të njohur të penelit të kohës sonë, ose të përpiqen të vrasin mendjen edhe të analizojnë se çfarë konceptesh e kuptimesh janë kombinuar në këtë koleksion.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur gjithashtu edhe veprat e vetë koleksionistit: posaçërisht për ekspozitën në Moskë Damien Hirst pranoi me kortezi të dekorojë interjerin e Muzeut Multimedia Art me tabllotë e tij, të cilat do të kënaqin vizitorët gjatë pushimeve të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.