Protestat masive të përkrahësve të integrimit evropian filluan në Kiev më 21 nëntor, pas shpalljes publikisht nga qeveria të ndërprerjes së përgatitjes për nënshkrim të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në. Fillimisht demonstrata ishte krejtësisht paqësore. Por të shtunën në mëngjes, kur protestuesit iu afruan si shumë godinës së administratës presidenciale, autoritetet u detyruan të hedhin në mbrojtje të saj Forcat Speciale "Berkut", njofton nga vendi i ngjarjes korrespondenti i Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" Aleksandër Bondarenko:

- Shumica e pjesëmarrësve të protestës i bënin thirrje të gjithëve që aksioni të zhvillohej në mënyrë sa më paqësore. Por disa dhjetëra të rinj thërrisnin me të madhe se duhet të merret me sulm ndërtesa e administratës presidenciale. Policia nuk ka ndërmarrë asnjë përpjekje për t’i ndaluar këta njerëz. Por pastaj, papritmas, në vendin e ngjarjes u dukën ushtarakët e Forcave Speciale "Berkut" dhe i spostuan protestuesit rreth 250 metra nga godina, dhe vepruan ata gjatë kësaj shumë, shumë rreptë.

Në tërësi, në Ukrainë, me përjashtim të disa rajoneve të caktuara në perëndim të vendit, situata është e qetë. Në shumicën e qyteteve veprimet e ithtarëve të opozitës nuk i mbështesin. Ekspertët besojnë se situata në Kiev po zhvillohet sipas një plani të përpiluar parapakisht. Me opozitarët ukrainas po bashkohen edhe veprimtarë politikë të vendeve të tjera, thekson Kryeredaktori i gazetës "Telegrafi i Kievit" (russ. "Киевский телеграф") Vladimir Skaçko:

- Në Ukrainë u shfaq zoti Jaroslaw Kaczynski, vëllai i ish-Presidentit të ndjerë të Polonisë, i cili bën ecejake nëpër qytet duke hedhur me zë të lartë parullën "Për lirinë tonë dhe tuajën bashkë!". Pasionet vijnë duke u ndezur dhe më keq nga njoftimet se në Borispole po zbarkojnë forcat ruse të destinacionit të posaçëm OMON, se vdiq një vajzë e rrahur keq prej efektivëve të policisë dhe se janë lënduar tashmë mijëra njerëz.

Faktin e ushtrimit të presionit nga ana e Perëndimit e konfirmon edhe deputeti i Verhovna Rada (Parlamentit ukrainas) Aleksandër Gollub:

- Ky është një presion i paprecedent. Në mesin e demonstruesve kishte edhe përfaqësues të Lituanisë dhe Polonisë, të cilët mbështesnin protestuesit, shprehnin me zë të lartë opinionet e veta, bënin vlerësime politike. Dhe, duhet thënë, se ata nuk ishin aspak qytetarë të zakonshëm, por njerëz që zënë aktualisht apo kanë mbajtur dikur poste shtetërore. Prandaj interesi i disa qarqeve të caktuara evropiane në eskalimin e situatës në Ukrainë është krejtësisht evident, dhe, me thënë të drejtën, ngjan shumë me hakmarrjen për dështimin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të vendit me BE-në.

Kërkesa kryesore e opozitës është dorëheqja e Presidentit të Ukrainës Viktor Janukoviç. Megjithatë, sipas mendimit të ekspertëve, tani është e pamundur një gjë e tillë për shkak se për lansimin e procedurave të nevojshme parlamentare nevojitet shumica e zërave ( ¾ e votave) në Verhovna Rada. E vetmja gjë, që mund të arrijnë tani opozitarët, është dorëheqja e qeverisë. Por janë të papërfillshme shanset që gjatë drejtimit të Presidentit Viktor Janukoviç të zgjidhet një kryeministër nga opozita.