Opinioni i analistit ushtarak rus Viktor Litovkin:

- Pavarësisht nga fakti se Greqia është një vend anëtar i NATO-s, ajo është megjithatë mjaft e pavarur në zgjedhjen e partnerëve të vet për bashkëpunim tekniko-ushtarak. Këtu, për shembull, zyrtarët e NATO-s konfirmojnë se ata nuk mund të krijojnë një sistem të përbashkët të mbrojtjes antiraket me Rusinë për shkak të ekzistencës së standardeve të ndryshme, domethënë, mospërkimit të tyre. Ndërkohë që i gjithë sistemi i mbrojtjes kundërajrore të Greqisë është i ndërtuar në bazë të komplekseve raketore kundërajrore ruse. Dhe rezulton, sipas këtij konfirmimi, se "mospërputhja e standardeve" nuk është gjë tjetër veçse një justifikim banal i atyre që nuk i besojnë Rusisë.

Përse grekët preferojnë ta ndërtojnë sistemin e tyre të sigurisë duke u mbështetur në teknologjinë ushtarake ruse?

- Ne shesim armët tona, ndihmojmë porositësit për të përvetësuar përdorimin e tyre, pranojmë për trajnim ushtarakët e blerësve në shkollat tona ushtarake, merremi me trajnimin e tyre në poligonë. Meqë ra fjala, kompleksin e mbrojtjes kundërajrore të modelit "Osa AKM" (russ. "Оса АКМ") Greqia e ka marrë nga Republika Demokratike Gjermane (RDGJ), kur pas bashkimit të Gjermanisë Boni filloi t’i shesë aleatëve të vet më të afërt armët e këtij vendi (RDGJ-së, pra). Greqia iu drejtua Rusisë me kërkesën për t’a modernizuar atë. Dhe mbeti kaq e kënaqur me rezultatin saqë i porositi asaj edhe 16 komplekse të tjera po të tilla. Në të njëjtën kohë ne i demonstruam asaj një sistem shumë më efektiv "Tor-M1" (russ. "Тор-М1") dhe Athina e bleu edhe atë. Pastaj Greqia bleu kompleksin tonë "Buk"(russ. "Бук").

Çfarë mund të pritet nga vizita e Ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu në Greqi?

- Teknika ushtarake që ne i furnizojmë grekëve kërkon modernizim. Në territorin grek tashmë është krijuar sipërmarrja e përbashkët "Rosoboron Servis-Hellas" dhe tani shtrohet çështja e zgjerimit të aktivitetit të kësaj kompanie.

Në përbërjen e armatimeve të Greqisë, përveç komplekseve raketore ruse të mbrojtjes kundërajrore, janë përfshirë edhe automjetet tona luftarake të këmbësorisë, tanke, aeroplanë ushtarakë transporti, avionë amfibë, anije dhe shumë pajisje të tjera. Dërgesat totale ushtarake nga Rusia në Greqi në vitet e fundit i kanë tejkaluar 5 miliardë $. Por nevojiten qendra të reja të shërbimit dhe mirëmbajtjes së gjithë kësaj teknike ushtarake.

Përveç kësaj, Flota Ushtarake Detare e Rusisë ka një skuadron anijesh në Detin Mesdhe. Është plotësisht e mundur që gjatë vizitës të Ministrit rus të Mbrojtjes në Greqi të negociohet mbi mundësinë e hyrjes së anijeve ruse për pushim dhe riparime të vogla në portet greke.