Në total janë planifikuar të shkatërrohen 1.300 ton substanca toksike luftarake. Në anijen amerikane do të neutralizohen vetëm kimikatet më të rrezikshme - rreth 500 ton. Me përpunimin dhe utilizimin e shtatë milionë litra të mbeturinave, që formohen gjatë këtij procesi, do të merren kompanitë private. Mbi përgatitjen e operacionit të planifikuar tregoi për "Zërin e Rusisë" Përfaqësuesi i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK), Sigrid Kaag:

- Kimikatet po transportohen tani në qytetin port të Latakia (Siri). Atje ato do të paketohen dhe do të vulosen. Më pas me disa anije lëndët kimike luftarake do të transportohen deri në vendin e ankorimit të anijes së Shteteve të Bashkuara.

Në ONAK theksojnë se armët kimike do të neutralizohen përtej ujërave siriane. Tani në anijen amerikane po instalohen pajisjet përkatëse. Komenton anëtarja e Këshillit rus për Çështjet Ndërkombëtare, Elena Suponina:

- Rreziqet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe kjo është një procedurë shumë e kushtueshme. Por kjo është më e sigurt se sa ndërmarrja e shkatërrimit të armëve kimike në vetë Siri, për shkak se vendi është përfshirë i tëri në luftë civile dhe autoritetet nuk mund të garantojnë sigurinë e specialistëve.

Numri i inspektorëve ndërkombëtarë, të cilët do të monitorojnë paketimin dhe transportin e kimikateve, do të dyfishohet - deri në 30 persona. Tani grupi i ekspertëve po punon nën masa të përforcuara sigurie: rrugët e lëvizjes së inspektorëve janë klasifikuar (mbahen në sekret të plotë). Situatën e komenton eksperti ushtarak, gjenerali i Ushtrisë siriane në pension Salim Harba:

- Grupet e armatosura që veprojnë në Siri janë të kontrolluara nga Arabia Saudite, Katari dhe Turqia. Dhe, unë besoj, se rebelët mund t’i urdhërojnë për të ndërmarrë ndonjë sulm ndaj inspektorëve të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK), në mënyrë që të tentohet minimi i procesit të shkatërrimit të substancave toksike luftarake me qëllim që të detyrohet komuniteti ndërkombëtar për t’iu rikthyer çështjes së zhvillimit të operacionit ushtarak kundër Sirisë.

800 tonët e mbetura më pak të rrezikshme të kimikateve, sipas mendimit të ekspertëve, do të neutralizohen në territoret e vendeve të tjera. Më shumë se 30 kompani komerciale kanë deklaruar dëshirën e tyre për të marrë pjesë në asgjësimin e armëve kimike siriane. Organizata, e cila do të fitojë tenderin, do të marrë për kryerjen e këtyre punëve 40-50 milionë euro. Sipas grafikut të hartuar nga ONAK, armët kimike duhet të likuidohen plotësisht aty nga mesi i vitit të ardhshëm.