Opinionin e vet në lidhje me ngjarjen në fjalë e ndau me "Zërin e Rusisë" gazetari i njohur dhe Profesori i teologjisë Massimo Faggioli.

Nëse do t’i besohet informacionit të postuar në disa faqe (site) të lajmeve në Internet, Presidenti Barack Obama ka ndërmend të mbyllë misionin diplomatik amerikan në Vatikan. Po çfarë shërbeu si shkas për një vendim të tillë?

- Në fakt, fjalë nuk bëhet për mbylljen e Ambasadës, por për transferimin e saj në një vend tjetër. Aktualisht Ambasada e SHBA-së në Vatikan është e vendosur në territorin e një vile të vogël të izoluar. Ajo, nga pikëpamja e sigurisë, është shumë e vështirë për t’u mbrojtur prej sulmeve të mundshme terroriste. Pikërisht kjo dhe është arsyeja e marrjes së vendimit mbi transferimin e saj më pranë misionit diplomatik të SHBA-së në Republikën e Italisë.

Sipas mendimit Tuaj, në vendimin e Shteteve të Bashkuara ka ndikuar në ndonjë farë mënyre vizita e Presidentit rus Vladimir Putin në Vatikan?

- Unë mendoj se vendimi për transferimin e Ambasadës nga Vatikani në një vend tjetër nuk është i lidhur kurrsesi me takimin e paradokohshëm të Presidentit rus Vladimir Putin dhe Papa Françeskut. Mua më duket se ai është marrë për arsye praktike. Megjithatë, vendimi në fjalë duhet të konsiderohet si njëfarë sinjali, dërgimi i të cilit nënkupton pikësynimin e SHBA-së për të "riformuluar" marrëdhëniet e veta me Vatikanin. Ndërsa në Amerikë Kisha Katolike përbëhet kryesisht nga konservatorët, të prirur jo shumë pozitivisht ndaj politikave të Presidentit Barack Obama, i cili reagoi në këtë mënyrë ndaj armiqësisë nga ana e Kishës Katolike.

A pajtoheni Ju me pikëpamjen e ish-Ambasadorit të SHBA në Selinë e Shenjtë, Zotit James Nicholson, i cili e karakterizoi këtë ngjarje si një hap të madh prapa në marrëdhëniet diplomatike mes Vatikanit dhe Amerikës?

- Unë mendoj se James Nicholson e ekzagjeron pak atë. Me sa kuptoj unë, ndryshime në marrëdhëniet mes Vatikanit dhe SHBA-së duhet të priten nga Papa i ri. Papa Françisko është një latinoamerikan, këndvështrimi i cilit ndaj Shteteve të Bashkuara, po ashtu si dhe i shumicës së hispanikëve, është mjaft divers nga vizioni i paraardhësve të tij - Papa Benedikti i XVI dhe Gjon Pali II. Pontifiku i tanishëm është më skeptik ndaj SHBA-së. Disa madje konfirmojnë se ai i përmbahet prirjeve anti-amerikane. Dhe pikërisht ky faktor, sipas mendimit tim, në muajt dhe vitet e ardhshme mund të ndikojë, por, ndoshta, dhe po ndikon madje që tani në marrëdhëniet mes Vatikanit dhe Shteteve të Bashkuara. Transferimi i Ambasadës nuk ka të bëjë fare me këtë, edhe pse ai është megjithatë një sinjal i rëndësishëm. E përsëris edhe njëherë: do të ishte shumë më e arsyeshme dhe më "adekuate" nga ana e SHBA-së që të mbante Ambasadën e vet të veçantë pranë Selisë së Shenjtë.