Granatimet e Ambasadës së Federatës Ruse në Damask janë akt terrorist, deklaruan në OKB. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kujtuan parimin e paprekshmërisë së misioneve diplomatike dhe bënë thirrje për t’i sjellë përpara drejtësisë përgjegjësit për këtë akt vandal. Në deklaratën zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit gjithashtu dënohen "të gjitha sulmet ndaj personave dhe objekteve të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare".

Sot Ambasada ruse në Damask vazhdon të punojë normalisht, në regjimin e vet të zakonshëm. Vërtetë atje u detyruan të forcojnë masat e sigurisë. Si rezultat i sulmit me minahedhës mbi godinën e saj u vra një sirian. Nëntë vetë u plagosën. Qytetarë rusë në mesin e viktimave nuk ka. Të enjten (më 28 nëntor) në territorin e Ambasadës ruse shpërtheu një minë. Shpërthimi i dytë gjëmoi në afërsi të drejtpërdrejtë nga godina e saj.

Nga druajtja, se qeveria siriane nuk është në gjendje të ofrojë siguri të mjaftueshme për ambasadat e huaja në territorin e Sirisë, shumë vende, të tilla si Franca, Holanda dhe një sërë shtetesh arabe vitin e kaluar tërhoqën prej andej përfaqësitë e veta diplomatike. Qeveria e vendit është duke bërë gjithçka të mundshme për të garantuar sigurinë e banorëve paqësorë dhe të misioneve diplomatike, thotë eksperti rus Sergei Serjogiçev.Por, për garantimin e sigurisë absolute autoritetet e vendit duhet të shpartallojnë grupet militante të përforcuara në periferitë e Damaskut, mendon ai:

- Është e domosdoshme të spastrohen prej tyre zonat periferike të kryeqytetit. Kurse kjo është shumë e rrezikshme për popullsinë paqësore, pasi militantët fshihen pas shpinave të tyre. Qeveria e Bashar Al-Assad dhe ushtarakët po përpiqen të veprojnë në mënyrë të tillë që të shmangin viktimat në mesin e popullatës. Dhe kjo është shumë aktuale në kontekstin e likuidimit të armëve kimike, me qëllim që të mos u jepet shkas militantëve për të akuzuar qeverinë se ajo po asgjëson popullsinë civile.

Ndërkohë, siç theksojnë ekspertët, autoritetet siriane po zhvillojnë operacione të suksesshme kundër militantëve. Ndërsa veprime të tilla, si granatimi i Ambasadës ruse, janë pasojë e pashmangshme e këtij konfrontimi, shprehet me bindje orientalisti rus Boris Dollgov:

- Qëllimi që ndiqet në këtë rast është, kryesisht, tërheqja e vëmendjes. Granatimi i Ambasadës ruse ishte llogaritur për efekt psikologjik: për të trembur përfaqësuesit e Ambasadës dhe për t’i dhënë sinjal rusëve se mbështetja e zgjidhjes paqësore të konfliktit prej tyre merr pikërisht një "vlerësim" të tillë nga ana e grupeve të armatosura anti-qeveritare. Sigurisht, ky akt ishte i projektuar për opinionin publik.

Eksperti theksoi se sulmi terrorist, ka shumë të ngjarë, që të jetë ndërmarrë prej radikalëve islamikë nga grupet anti-qeveritare.

Misioni diplomatik rus në Siri tashmë është bërë disa herë objekt sulmesh. Vetëm këtë vit ai i është nënshtruar dy herë bombardimit me minahedhës. Më 4 qershor në territorin e Ambasadës ranë katër predha. Atëhere u plagosën efektivët e policisë lokale. Më 22 shtator në territorin e Ambasadës shpërtheu një minë. Tre punonjës të misionit diplomatik u plagosën.