Vizitorët mund të shohin ilustrimet e veprës së Pushkinit "Përralla për Car Salltanin" (russ "Сказка о Царе Салтане") të vitit 1906, të bëra prej ilustratorit, ndoshta, më të famshëm rus të përrallave Ivan Bilibin. Duke u orientuar në traditat e artit të lashtë rus dhe ato popullore Bilibin zhvilloi një stil shumë interesant dekorativ, të cilin e ruajti gjatë gjithë krijimtarisë së vet.

Është një fakt tashmë i njohur se pasioni për ilustrimin e përrallave piktorit iu ndez pasi në vitin 1899 ai pa, për herë të parë në Shën Petersburg, tabllonë "Kreshnikët" (russ. "Богатыри") të mjeshtrit rus të penelit Viktor Vasnjecov. Përveç studimit me përkushtim të kulturës popullore, folklorit të larmishëm rus, Ivan Bilibin u vendos posaçërisht me banim në fshat me qëllim që të kishte mundësi për të parë me sytë e vet pyjet e dendura, lumenjtë me ujë të kulluar, kasollet prej druri, të dëgjonte përralla dhe këngë. Përshtypjet e grumbulluara nga ky udhëtim i lejuan piktorit të krijojë një seri të tërë ilustrimesh të mrekullueshme të përrallave popullore ruse. Piktori nuk merrej me ilustrime të veçanta, ai bënte dizajnimin e të gjithë librit: pikturonte kopertinën, ilustrimet, shkronjat e tekstit - të gjitha ato ai i stilizonte si dorëshkrimet e lashta. Përrallat me ilustrimet e Ivan Bilibin botohen edhe tani - dhe jo vetëm në gjuhën ruse.

Në ekspozitë janë paraqitur gjithashtu edhe pikturat e realizuara nga artisti Aleksandër Konovallov në vitet 1920. Punët e tij janë stilistikisht të ngjashme me veprat e Kuzma Petrov-Vodkin dhe krijimtarinë e hershme të Aleksandër Deineka.

Një pavijon i veçantë i ekspozitës i është kushtuar punëve në lëmin e ilustrimit të librave të piktorit Aleksandër Bubnov, autorit të pikturës së mirënjohur "Mëngjesi në fushën Kulikovo" (russ. "Утро на Куликовом поле"), e cila është realizuar në bazë të motiveve të baladave ruse në kulminacionin e Luftës së Dytë Botërore. Në kohë paqeje Aleksandër Bubnov i drejtohej vazhdimisht në krijimtarinë e vet temave të përrallave magjike, epikës legjendare ruse. Është i njohur cikli i tij grandioz i ilustrimeve të balladës "Kënga për Profetin Oleg" (russ. "Песня о Вещем Олеге"). Në këtë ekspozitë janë paraqitur gjithashtu ilustrimet e një poeme tjetër të Pushkinit - "Boris Godunov" (russ. "Борис Годунов").