Nga ana tjetër, është rritur brezi i politikanëve evropianë të cilët besojnë në mënyrë të verbër se për hir të lumturisë së të prekurit të "projektit të madh të Evropës së bashkuar" mund të bëhen madje dhe sakrificat më sublime. Dhe gjatë kësaj çdo kërkesë për mbështetje konkrete ekonomike ata e konsiderojnë si paturpësi.

Në qoftë se do të lemë mënjanë emocionet, atëhere lajtmotivi i reagimit të politikanëve evropianë ndaj vendimit të Presidentit ukrainas Viktor Janukoviç, për të mos e nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në, mund të përmblidhet në parullën "Mos guxoni të numëroni paratë!". Udhëheqja e Ukrainës akuzohet tani si merkantile, duke mos harruar të përmenden njëkohësisht disa "përfitime ekonomike" që Ukraina gjoja do të marrë nga asocimi me BE-në, por ndërkohë askush nuk i ofron Ukrainës para për të modernizuar ekonominë.

Në këtë rast nuk mund të mos sjellim ndërmend përvojën e hidhur të Evropës Lindore. Pas integrimit të saj në Bashkimin Evropian kreditë e lira dhe të përballueshme konsumatore, të akorduara nga bankat e Evropës Perëndimore, zbutën përkohësisht efektet negative të rënies së sektorit real të ekonomisë. Kjo shkaktoi tek banorët e Evropës Lindore euforinë e papërmbajtshme nga "sukseset ekonomike të bashkëpunimit me BE-në". Kurse tani erdhi koha e kthjellimit të hidhur pas dehjes me këto suksese: uzinat e fabrikat e vjetra janë shkatërruar, infrastruktura po kalbet, ndërsa sektori i shërbimeve, i cili shërbente "kërkesën për kredi", nuk mund të sigurojë rritje. "Mrekullia ekonomike" me kaq përfundoi.

Është mjaft tregues reagimi i përdoruesve të zakonshëm të rrjeteve sociale në Rumani ndaj vendimit të Presidentit të Ukrainës Viktor Janukoviç. Shumica e tyre ua kanë zilinë ukrainasve dhe shprehin keqardhje të thellë në lidhje me faktin se në Rumani nuk u gjendën politikanë të aftë për të vlerësuar me mendje të kthjellët pasojat e asocimit me BE-në që para fillimit të këtij afrimi.

Hezitimi, mosdëshira e Brukselit për të ndihmuar me mjete financiare vasalët e tij besnikë evropianolindorë i detyron edhe më besnikët e më këmbëngulësit prej tyre të kërkojnë fonde diku tjetër. Në vend të BE-së në Evropën Lindore po hyjnë Kina dhe Rusia, por politikanët e regjimeve rusofobe të Polonisë, shteteve Balltike (Letonisë, Estonisë, Lituanisë) dhe Suedisë po bëjnë gjithçka të mundur me qëllim që Ukraina të mbetet e izoluar nga procesi pan-evropian.

Rusofobët europianë kanë pësuar tashmë një seri të tërë disfatash gjeopolitike. Përveç "kthesës së befasishme në kursin" e Ukrainës, ngjarja më thumbuese, më e dhimbshme për ta u bë Samiti Kinë-Evropa Lindore, i cili u mbajt në Bukuresht. Dëshira dhe gatishmëria e Kinës për të negociuar në lidhje me investimet me vendet e Evropës Lindore, pa pjesëmarrjen e Brukselit, ka provokuar në këtë të fundit një reagim të bujshëm, madje të tërbuar. Zyra e Komisionit Evropian ka dërguar në kancelaritë e 15 vendeve-anëtare dy qarkore, në të cilat në formë ultimative u ka ndaluar atyre nënshkrimin e marrëveshjeve të veçanta me Kinën. Rezultati i këtij presioni është i barabartë me zero. Vendet e Evropës Lindore kanë nënshkruar një numër rekord marrëveshjesh, kurse shumë politikanë e shfrytëzuan këtë rast për t’i treguar Brukselin se bisedat dhe fjalët e shumta për vlerat europiane nuk mund të zëvendësojnë dot paratë reale.