Në vitin 1993, pas diplomimit në Akademinë e Pikturës dhe Design me emër të "V. I. Muhina", Aleksei Riçkov u largua nga Rusia dhe jetoi disa vite në Evropë: në Varshavë, Pragë, Paris. Do të dukej, në vështrim të parë, se çdo gjë shkon mbarë e mirë në jetën e tij dhe se ai është një njeri mëse i suksesshëm - kishte porosi për piktura, tabllotë e tij shiteshin mjaft mirë, por piktori nuk ndihej rehat atje.

Pasi u kthye në Shën Petersburg ai filloi të punojë në mënyrë mjaft aktive, hapi disa ekspozita me tabllotë e veta dhe fitoi famë si mjeshtër i peizazhit romantik, kurse portretet e krijuara nga peneli i tij janë bërë stoli e shumë koleksioneve familjare. Që në mes të viteve 1990-të Aleksei Riçkov hodhi në telajo disa pamje të Shën Petersburgut, në të cilat gjetën pasqyrim tempujt më të famshëm të qytetit: Kisha e Shpëtimtarit mbi gjakun e derdhur (russ. Церковь Спаса на Крови; angl. The Church of Our Savior on the Spilled Blood), Lavra e Aleksandër Nevski (russ. Александро-Невская Лавра; angl. Alexander Nevsky Lavra), Katedralja e Kazanit (russ. Казанский собор; angl. Kazan Cathedral) ...

"Që atëherë më lindi në mendje ideja për të krijuar një lloj harte origjinale artistike të Rusisë, për të pikturuar kishat dhe tempujt e qyteteve të ndryshme të vendit tonë, - tregon Aleksei Riçkov. - Por punët e përditshme, obligimet përpara klientëve, që më kishin porositur punë të shumta, nuk më linin kohë për t’u marrë me mishërimin e kësaj ideje në jetë. Por, ndoshta, atëherë edhe unë vetë nuk ishte i gatshëm për realizimin e një pune të tillë".

Disa vjet më parë piktori u njoh me koleksionistin Viktor Shirokih, i cili i vlerësoi mjaft lart punët e tij. Gradualisht në mendjen e artistit po vinte duke u pjekur ideja: të krijonte jo thjesht një koleksion pikturash, në të cilat do të gjenin pasqyrim kishat dhe tempuj nga Shën Petersburgu deri në Kamçatka dhe nga Murmansku deri në Krasnodar, por edhe të organizonte një ekspozitë udhëtuese, në mënyrë që tabllotë e tij të mund t’i shihnin banorët e shumë qyteteve ruse.

Ekspozita për herë të parë u hap në Soçi, ku ngjalli një interes jashtëzakonisht të madh. Më pas pikturat e Aleksei Riçkov i panë në Rjazan, Kollomna, Pskov. Piktori vazhdon të punojë aktivisht dhe shpreson se veprat e tij do t’u lejojnë shikuesve për të parë me një sy të ri botën që i rrethon dhe historinë e vendit të vet.