Radiokompania "Zëri i Rusisë" e diskutoi këtë çështje me Kristian Gustafson, pedagog i Qendrës për Kërkime në fushën e inteligjencës dhe sigurisë në Universitetin Brunel të Londrës (Brunel University London).

Kristian, a mendoni Ju vallë se skandali me spiunazhin do të ndikojnë në marrëdhëniet mes Britanisë dhe Gjermanisë?

- Unë mendoj se kjo do të ketë efekt për një periudhë afatshkurtër, do të çojë në njëfarë ftohje të marrëdhënieve me publikun, por unë jam mëse i bindur se në perspektivë afatgjatë interesat e përbashkëta të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit "Pesë Sy", në fund të fundit, do të mbizotërojnë.

A mendoni Ju se Gjermania do të përpiqet të arrijë me çdo kusht përfshirjen e vet në aleancën e inteligjencës "Pesë Sy"?

- Agjencia e inteligjencës "Pesë Sy" u organizua pas Luftës së Dytë Botërore, dhe kjo është me të vërtetë një aleancë e vendeve anglo-saksone, shteteve anglisht-folëse, dhe Gjermania do ta ketë të vështirë të ingranohet në të për shkak se ky nuk është thjesht bashkimi i saj me një klub. Kjo aleancë është e ndërtuar mbi bazën e besimit, përpjekjeve të përbashkëta dhe interesave të ndërsjella të formuluara si rezultat i dy luftërave botërore. Agjencia "Pesë Sy" është e bazuar në parimin vijues: çdonjëri nga pesë vendet mund të ketë besim tek të gjitha pesë vendet e tjera, ndërsa të dhënat e tyre dhe kontrolli mbi materialet e tjera, që vijnë nga burimet, janë aspekte të rëndësishme, madje kyçe, të besimit dhe mbështetjes reciproke në sferën e shërbimit të inteligjencës. Prandaj, ju duhet të dini me siguri se në qoftë se unë i jap të dhëna të caktuara të shërbimit të inteligjencës një vendi tjetër, ai, nga ana e vet, nuk ka ndërmend t’ia përcjellë ato një pale të tretë apo të katërt. Gjermania do ta ketë shumë të vështirë për të hyrë në këtë rreth vicioz. Çdokush do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë për të hyrë në këtë rreth kaq të ngushtë.

E qartë. Deri tani SHBA-ja ka qenë në epiqendër të të gjitha skandaleve që lidhen me mbikëqyrjen, survejimin. Ndërsa tani ne mësuam se ekziston edhe një rrjet i tërë vendesh të përfshira në aktivitete spiunazhi. Si do ta ndryshojë ky fakt situatën?

- Unë nuk mendoj se ai do ta ndryshojë në mënyrë të qenësishme situatën. Siç e kam theksuar, meqenëse ekziston Agjencia "Pesë Sy", ekziston edhe një komunitet i madh i vendeve mike, në të cilin përfshihen shtete të tilla si Singapori, të cilat ndajnë të njëjtat interesa. Singapori, po ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të "Pesë Sy", është tejet i shqetësuar në lidhje me problemin e Islamit militant dhe terroristëve radikalë. Dhe këto vende, natyrisht, ndajnë gjithashtu të dhënat mes tyre në këtë pjesë të botës. Ndërsa ndarja e informacioneve të shërbimeve të inteligjencës kërkon zbatimin e parimit "ti - mua, unë - ty". Nëse doni të merrni diçka nga partneri juaj më i madh në sferën e zbulimit, atëhere ju duhet t’i ofroni atij ndonjë gjë në këmbim të kësaj. A e dini ju se si ka ndodhur historikisht përfshirja e Kanadasë në "Pesë Sy"? Kanadaja hyri në aleancën e inteligjencës "Pesë Sy" meqenëse historikisht ajo mund të survejonte Rusinë duke realizuar përgjimin me përdorimin e teknologjive të Harkut Kanadez (Canadian Arc). Kështu që ajo kishte se çfarë të vinte në lojë. Ky është një ilustrim i mirë i organizimit të punës së shkëmbimit të informacionit.