Italia dhe veçanërisht Vatikani e pritën vizitën e Presidentit të Rusisë si një eveniment të një rëndësie të veçantë. Dhe problemi nuk konsiston madje as në vetë faktin se ajo mund të bëhet një lloj prologu origjinal për takimin e Papës së Romës me Patriarkun e Moskës dhe gjithë Rusisë Kirill. Negociatat e Putinit dhe Pontifikut, padyshim, kanë një vlerë absolutisht të pavarur. Vatikani, në kontrast me Romën zyrtare, e ka mbështetur fuqimisht Moskën në përpjekjet e saj për të zgjidhur problemin sirian pa ndërhyrjen (intervencionin) e jashtme në fazën më akute të konfrontimit me mbështetësit e variantit më të rreptë të zgjidhjes së krizës siriane. Ndërsa vetë Papa e vlerësoi shumë lart rolin e Rusisë dhe Presidentit të saj në politikën ndërkombëtare, e cila, sipas tij, duhet të bazohet në parimet ligjore dhe morale.

Përveç kësaj, si Kisha Katolike, ashtu dhe Kisha Orthodhokse janë shumë të interesuara në ruajtjen e popullsisë së krishtere në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, ku ajo bëhet shpesh herë subjekt i persekutimit të ashpër dhe dëbimit brutal. Ndërkohë që pikërisht atje dhe janë të përqendruara të gjitha shenjtëroret kryesore të Krishterimit. Takimi i Vladimir Putinit me Papa Françeskun, i cili u mbajt kokë më kokë, do të japë një impuls të fuqishëm për rivendosjen e dialogut ndërmjet feve dhe shteteve, konkludojnë ekspertët.

Më vonë Vladimir Putin u takua me Presidentin e Italisë Giorgio Napolitano. Ata gjithashtu diskutuan situatën në Siri dhe marrëveshjet dypalëshe që janë planifikuar të nënshkruhen gjatë ditës së dytë të vizitës së Presidentit rus në Itali.

Putin u takua edhe me ish-Kryeministrin italian Romano Prodi. Ata diskutuan problemet akute të migracionit. Kjo temë, vuri në dukje Vladimir Putin, tani është veçanërisht e rëndësishme për shumicën e vendeve evropiane, përfshirë dhe Italinë.

Duhet të theksohet se Italia është një ndër partneret strategjike të Rusisë në sferën e tregtisë së jashtme. Përkatësisht treguesve të qarkullimit tregtar atë e parakalojnë vetëm Kina, Holanda dhe Gjermania, kurse në prokurimin e furnizimeve të gazit rus ajo renditet në vendin e dytë pas po asaj Gjermanie. Po rriten, në veçanti, investimet e ndërsjellta, kurse projekteve në zbatim e sipër po u shtohen vazhdimisht të reja mjaft premtuese. Në veçanti, kompanitë italiane janë përfshirë në mënyrë aktive në ndërtimin e tubacionit të gazit "South Stream" ("Rryma Jugore"), i cili do të lidhë Rusinë me Evropën nëpërmjet fundit të Detit të Zi. Duken tejet pozitive edhe kontaktet në industrinë kozmike, po zhvillohet në mënyrë dinamike edhe biznesi i përbashkët i turizmit.

Mbetet për t’i shtuar gjithë asaj që thamë se anëtarësimi i Italisë në NATO-s nuk e pengon aspak Moskën dhe Romën për të zhvilluar një dialog aktiv politik, të lirë nga notat konfrontuese, çka nuk po arrihet dot, për shembull, në rastin me Londrën dhe Uashingtonin. Në shumë gjëra kjo është bërë e mundur falë autoritetit dhe reputacionit të Presidentit Giorgio Napolitano - njërit prej politikanëve më me përvojë të Botës së Vjetër.