Lajmi në fjalë ka habitur jo vetëm vendet evropiane, Republikën Çeke fqinje, por edhe vetë Sllovakinë. Kryeministri Robert Fico, thjesht, nuk pranoi ta komentojë këtë lajm, duke vënë vetëm në dukje se kjo fitore nuk ka të bëjë kurrsesi me rritjen e prirjeve nacionaliste në rajon. Po si mund të ndodhte, në përgjithësi, një gjë e tillë në krahinën ish-partizane, e cila në vitin 1944 u ngrit me armë në dorë kundër okupatorëve nazistë? Dhe pikërisht këtu, mu në zemër të rezistencës antifashiste, fiton një njeri që simpatizon haptazi Gjermaninë naziste. Në vetë faktin se guvernator u bë një nazist i deklaruar nuk sheh asgjë të habitshme Profesori i Universitetit të Bratisllavës Vladimir Baçishin:

- Marian Kotleba është një figurë e njohur që prej shumë kohësh tek ne në vend. Për vite e vite të tëra ai dhe mbështetësit e tij marshojnë përpara varrit të Jozef Tiso, Presidentit të Republikës Sllovake, me miratimin e të cilit, në fakt, u krye pushtimi i vendit. Dhe marshojnë ultranacionalistët të veshur me uniforma shumë të ngjashme me ato naziste. Ata i konsiderojnë si demonstrues të njëfarë lloj folklori. Shprehjet ksenofobiste të këtij, me nder e me thënë, politikani, botohen gjerësisht. Ndërsa në ato që ai thotë në lidhje me romët vërehen në mënyrë krejtësisht evidente të gjitha shenjat e intolerancës raciale. Në bazë të ligjeve Sllovake një retorikë e tillë përndiqet e dënohet në mënyrë shumë rigoroze. Por gjatë gjithë këtyre viteve asnjë politikan, asnjë parti nuk ka iniciuar ndonjë procedurë gjyqësore kundër tij. Përndryshe Kotleba dhe mbështetësit e tij do të kishin përfunduar prej kohësh në burg.

Arsyeja e dytë e fitores skandaloze të neonazistit Marian Kotleba është pjesëmarrja jashtëzakonisht e ulët e votuesve në këto zgjedhje - rreth 20%. Atij i mjaftuan për arritjen e fitores 10-12 për qind e votave të mbështetësve dhe adhuruesve të tij. Sigurisht, gjithmonë ka dhe shkaqe më themelore që shpjegojnë fenomenin e votimit në favor të ultra të dhjathtëve. Në rastin tonë kjo është papunësia tepër e lartë në disa rajone të veçanta të Krahinës Banska Bystrica - deri në 25%. Dhe unë po përmend tani numrin zyrtar të të papunëve të regjistruar.

Si do të funksionojë nën drejtimin e guvernatorit të ri Krahina Banska Bystrica?

- Në parlamentin lokal janë përfaqësuar parti normale politike. Zoti Kotleba nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim pa miratimin e tij prej legjislaturës. Po, e gjithë kjo është plotësisht e vërtetë. Por unë personalisht mendoj se zgjedhja e tij është "turp për Banska Bystrica".

Pas zgjedhjes së vet në postin e lartë të guvernatorit të ri Marian Kotleba deklaroi se synon të mishërojë në praktikë programin e partisë së tij në Krahinën e Banska Bystrica.