Komuniteti ndërkombëtar është inkurajuar dhe frymëzuar me plot të drejtë nga suksesi i negociatave në Gjenevë. Duke gjykuar nga rezultatet e arritura atje duket se pretendimet kryesore ndaj programit bërthamor iranian janë tërhequr. Edhe pse marrëveshja ka një karakter të përkohshëm, shumica e politikanëve janë të prirur ta shikojnë të ardhmen me optimizëm.

Në këtë valë pozitive pozicioni i Izraelit duket me të vërtetë anakronik. Por ekspertët pajtohen me mendimin se ai ka megjithatë njëfarë justifikimi historik. Ja se çfarë thotë orientalisti rus Dimitri Marjasis:

- Për një kohë mjaft të gjatë udhëheqja iraniane (sidomos gjatë presidencës së Mahmoud Ahmadinexhad) është shprehur vazhdimisht se Izraeli duhet të pushojë së ekzistuari. Kurse ky është një kërcënim mjaft serioz. Dhe në situatën aktuale Izraeli ka frikë se ndryshimi i retorikës së udhëheqjes iraniane po merret si shumë seriozisht nga bashkësia ndërkombëtare. Gatishmëria për të bërë lëshime dhe për të hequr sanksionet vepruese, sipas mendimit të Izraelit, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do t’i japë impuls zhvillimit të programit bërthamor të Iranit.

Izraelitët e shikojnë problemin në faktin se retorika e qetë, paqedashëse demonstrohet vetëm nga Presidenti i ri i Iranit Hassan Rouhani, i cili në kuptimin e ngushtë nuk është një udhëheqës kombëtar. Në një kohë kur Udhëheqësi i vërtetë iranian Ajatollah Ali Khamenei mbetet, si dhe më parë, i rreptë, i vrazhdë në shprehjet e veta. Jo shumë kohë më parë ai deklaroi se politikanët izraelitë "nuk mund të quhen qenie njerëzore", dhe, në veçanti, e quajti Kryeministrin Benjamin Netanjahu "qen të tërbuar". Ndërkaq shumë ekspertë mendojnë se në këtë histori nuk ka "të këqinj" dhe "të mirë", por ka interesa gjeopolitike të cilat mbrohen me të gjitha mjetet dhe mënyrat e mundshme. Eksperti rus Ivan Konovallov komenton si më poshtë vijon:

- Programi bërthamor i Iranit - ky është një instrument politik, të cilin Irani e ka përdorur shpesh në favor të interesave të veta, duke ruajtur në heshtje aspekte të caktuara. Deri më tani ka qenë krejtësisht e paqartë se çfarë, në fakt, përfaqëson në vetvete programi bërthamor i Iranit, nëse ka vallë në të ndonjë komponent ushtarak. Dhe tjetër gjë është ajo se përgjigje e Iranit u bë gatishmëria e tij për t’i dalë përpara kërkesave të komunitetit ndërkombëtar dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet që ai mori mbi vete në takimin e Gjenevës. Izraelitët i intereson garantimi i sigurisë së vendit. Për shkak se ata ndodhen në bllokadë (në rrethim): rreth e përqark Izraelit ndodhen vendet armiqësore ndaj tij ose shtetet me të cilët ruhet neutraliteti i armatosur.

Në gjashtë muajt e ardhshëm ne do të mësojmë se kush në të vërtetë kishte të drejtë në historinë me programin bërthamor të Iranit, kush ishte krejtësisht i gabuar në lidhje me të dhe se cilët u përpoqën qëllimisht të fusin në qorrsokak (të mashtrojnë) bashkësinë ndërkombëtare.