Si i vlerësoni Ju përgatitjet për konferencën ndërkombëtare "Gjeneva-2" mbi Sirinë?

- Konferenca ndërkombëtare "Gjeneva-2" për Sirinë paraqitet e domosdoshme. Është e nevojshme të kërkohet një zgjidhje politike e problemit sirian. Ne shpresojmë shumë që data e konferencës të arrihet të përcaktohet në ditët e ardhshme në takimin e ndërmjetësve ndërkombëtarë në Gjenevë.

Në Siri duhet të formohet organi ekzekutiv kalimtar (tranzitor), i cili do të ketë të gjitha plotfuqishmëritë e pushtetit ekzekutiv për udhëheqjen e vendit.

Rusia beson se do të ishte e dobishme pjesëmarrja në këtë konferencë e shteteve të rajonit, duke përfshirë edhe Iranin. Si mendoni Ju?

- Tashmë ekziston një marrëveshje që në ditën e parë të punimeve të konferencës të angazhohet një grup i gjerë shtetesh dhe organizatash, të cilat në një mënyrë apo një tjetër kanë lidhje me konfliktin në Siri. Ne mendojmë se në rregullimin e konfliktit sirian duhet të marrin pjesë të gjitha shtetet e përfshira në procesin e ndërmjetësimit.

Domethënë edhe Irani mund të luajë një rol pozitiv, mendoni Ju?

- Kuvajti është plotësisht dakord që Irani të ftohet për pjesëmarrje në konferencën ndërkombëtare mbi Sirinë "Gjeneva-2".

Ne kemi ndjekur me vemendje të përqendruar negociatat e gjashtë vendeve- ndërmjetësuese dhe Iranit në Gjenevë për programin bërthamor iranian. Fakti që ato përfunduan pozitivisht është një sinjal shumë i mirë. Ne shpresojmë që këto marrëveshje të gjejnë tani mishërim praktik në jetë. Dhe ky do të jetë një hap i qenësishëm në drejtim të forcimit të sigurisë së përgjithshme në rajon.

Në vitin 2014 Kuvajti ka ndërmend të thërrasë një konferencë të madhe ndërkombëtare për dhënien e ndihmës Sirisë. Përse në të nuk janë ftuar vetë pjesëmarrësit e konfliktit?

- Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Ndihmë është mbajtur në janar të këtij viti në Kuvajt. Pas konferencës së parë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon i bëri thirrje Emirit të Kuvajtit për të organizuar edhe një tjetër konferencë po të tillë në janar të vitit 2014. Përbërja e vetë pjesëmarrësve, po ashtu si dhe herën e parë, përcaktohet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Kështu që për Sirinë, paralelisht me "Gjeneva-2", do të mbahet edhe konferenca ndërkombëtare "Kuvajti-2".

Këtë vjeshtë Ju keni qenë me një vizitë në Moskë. Cilat janë rezultatet e saj?

- Vizita përkoi në kohë me 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kuvajtit dhe Rusisë. Së bashku me miqtë tanë rusë ne kemi arritur në konkluzionin se potenciali i bashkëpunimit tonë nuk është shfrytëzuar plotësisht. Prandaj ne përcaktuam fushat prioritare që do të zhvillojmë së bashku.

Përveç kësaj, ne kemi rënë dakord për vizitën e Emirit të Kuvajtit në Rusi. Kjo vizitë, padyshim, do t'i japë një impuls të mirë zhvillimit të marrëdhënieve ruso-kuvajtiane.