Kështu, më 20 nëntor njëfarë qytetari i SHBA-së u betua para objektivit të videokamerës: "Ne do të vrasim gjithkënd që do të na dalë përpara në rrugën tonë". Vërtetë, vetëm disa minuta më pas planet e tij personale i prishi një predhë e lëshuar prej armëve artilerike të ushtrisë së rregullt siriane. Por, përveç tij në Siri kanë mbetur ende edhe shumë "europianë" dhe "amerikanë" mbartës të ideve të tilla. Mos do të bëhen vallë rrugët e qyteteve evropiane dhe amerikane të ngjashme me pamjet aktuale të Bagdad-it dhe Aleppo-s?

Jo. Në fakt, terrori është një shoqërues i kahershëm dhe i vazhdueshëm i qytetërimit. Në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara ai u shfaq shumë kohë para dukjes atje të celulave (qelizave) xhihadiste. Ato janë vetëm një episod në historinë e gjatë, plot "tronditës, shkatërrues të themeleve" të të gjitha ngjyrave e kallëpeve që kërcënohen të ndryshojnë botën me përdorimin e forcës. Vendin e atyre që shuheshin e zinin të rinj për të humbur më pas po ashtu si paraardhësit e tyre pa lënë gjurmë. E sa të tillë mund të mblidhen tani në Siri për një "luftë të madhe" me Perëndimin?

Prej 5-10 mijë militantëve "të huaj" në Siri, rruga për në Perëndim është e hapur vetëm për rreth 1000 "xhihadistë" me pasaporta të vendeve evropiane (sipas të dhënave të një raporti sekret të inteligjencës gjermane (botimi "Der Spiegel", 21 tetor). Por kjo njëmijëshe përbëhet nga dhjetëra, maksimum qindra, qytetarë të vendeve të ndryshme. Dikush prej tyre do të vritet në Siri, dikush tjetër nuk do të dëshirojë vetë të kthehet më në atdhe. Ndërsa ata që do të marrin guximin të vijnë, do të shpërndahen nëpër shtëpitë e tyre, dhe qindra militantë do të shpërbëhen përsëri në njësi të vogla, ndërsa prej tyre si përfundim do të mbeten vetëm disa "kokrra". Shumicës dërrmuese të atyre që do të blejnë biletën e kthimit, sipas mendimit të ekspertëve, dëshira e zjarrtë për aventura të rrezikshme i është fashitur përgjithmonë pas mësimeve fort të hidhura të përballjes me realitetet e tmerrshme të luftës së vërtetë. Ata e dinë për mrekulli: në atdhe strukturat ushtarake dhe agjencitë e sigurisë janë mjaft efektive, kurse numri i shokëve të besueshëm të mendimit jashtëzakonisht i vogël.

Sigurisht kërcënimi vazhdon të ruhet, edhe në qoftë se të rrezikshëm do të mbeten një numër jo i madh syresh. Me pasaportat e tyre ata me të vërtetë mund të lëvizin lirisht nëpër Evropë dhe SHBA. Sipas fjalëve të ish-analistit të CIA-s Michael Scheuer, "ata kthehen në atdhe me listën e kontakteve të shokëve të tyre muxhahidë në xhep, të cilët mund t’u japin atyre edhe këshilla, edhe t’u sigurojnë ndihmë financiare".

Që nga fillimi i luftës globale kundër terrorizmit sistemi i luftimit të bartësve të tij potencialë është bërë gjithashtu global. Ai po vjen duke u përsosur gradualisht. Prej fillimit të shekullit militantët kanë arritur të demonstrojnë vetëm një prej mundësive të veta, kur në vitin 2004 kryen sulmet terroriste në Madrid saktësisht 911 ditë pas të ashtuquajturit "9/11" - akteve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Nju Jork. Tashmë në vitin 2005, në sulmet terroriste të Londrës, u realizua vetëm një pjesë e planeve të tyre të kobshme, kriminale. Tani me përpjekjet e përbashkëta të shërbimeve të sigurisë dhe agjencive të inteligjencës - me përjashtime të rralla - neutralizohen me mjaft sukses sulme të tilla.