Armët kimike siriane duhet të asgjësohen jashtë territorit të Sirisë. Kjo është deklaruar në vendimin e ONAK-ut. Por askush nuk po shfaq ndonjë dëshirë të zjarrtë për t’i pranuar substancat toksike luftarake në vendin e vet. Shqipëria, Gjermania, Norvegjia tashmë i janë përgjigjur me refuzim një propozimi të tillë. Atëhere në mbledhjen e Organizatës u artikulua një variant tjetër: ndërmarrja e utilizimit të tyre në ujërat neutrale. Për këtë ekzistojnë dy mënyra. E para parashikon fundosjen e substancave të helmëta kimike në ujë, thotë analisti ushtarak rus, redaktori i revistës "Pasqyra e pavarur ushtarake" ("Независимое военное обозрение"), Viktor Litovkin:

- Në historinë e njerëzimit ka patur përvoja të fundosjes së armëve kimike. Në vitet 1945-1946, pas shpartallimit të Gjermanisë naziste, mbetën më shumë se 150.000 ton substanca toksike luftarake. Shtetet fituese të Luftës së Dytë Botërore - BRSS-ja, SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe - i ndanë midis tyre armët kimike dhe i fundosën ato në ujërat e Detit Balltik, ngushticave Kattegat dhe Skagerrak dhe Detit të Veriut. Të gjitha ato për gati 70 vitet që kanë kaluar që nga ajo kohë janë mbuluar me rërë, lym. Dhe aktualisht shtrohet për zgjidhje çështja - të ngrihen ato nga thellësia apo jo? Ekspertët kimistë thonë se kjo nuk duhet bërë kurrsesi.

Mënyra e dytë - nxjerrja e substancave të helmëta kimike nga territori i Sirisë me anë të mauneve ose platformave speciale në ujërat neutrale dhe djegia e tyre atje. Kështu veproi Japonia me armët e veta kimike, të cilat ishin lënë në territorin e Kinës që nga Lufta e Dytë Botërore. Një përvojë të ngjashme kanë edhe Shtetet e Bashkuara, vetëm se amerikanët e kryen operacionin për eliminimin e armëve kimike jo në det, por në gumat nënujore koralore.

Megjithatë, utilizimi i armëve kimike në ujë ka shumë kundërshtarë. Para së gjithash, për shkak të sigurisë ekologjike. Transportimi i lëndëve të helmëta luftarake nga Siria në rajonin tradicional "të hedhjes së mbeturinave" të Oqeanit Paqësor është një rrugë e gjatë, fort e largët. Përveç kësaj, për këtë do të lypsen bashkërendime të shumta me vendet, nëpër ujërat territoriale të të cilave do të lundrojë anija, e cila përveç kësaj do të shoqërohet edhe nga një eskort i armatosur. Deti Mesdhe edhe kështu është tejet i ndotur tashmë me mbeturina komunale dhe industriale. Vetëm lëndët toksike luftarake kishte mangut ai tani, thotë eksperti rus Tengiz Borisov:

- Askush nuk mund të përjashtojë lindjen e ndonjë situate emergjente. Diçka mund të shkojnë jo ashtu siç duhet dhe, si rezultat, ka mundësi të ndodhë kontaminimi i mjedisit rrethues. Kurse në zonën neutrale, sikur anija të devijojë paksa nga kursi i destinacionit, ajo do të ndodhet në ujërat territoriale të ndonjë shteti.

Kohë për t’u menduar gjatë, se çfarë të bëjë konkretisht me armët kimike siriane, ONAK-ut nuk i ka mbetur pothuajse fare. Deri më 17 dhjetor Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike duhet të zhvillojë planin për shkatërrimin e lëndëve toksike luftarake të Sirisë. Ndërkohë që të gjitha ato duhet të largohen nga vendi para 5 shkurtit dhe të asgjësohen jo më vonë se 30 qershori i vitit 2014.