Gazetari Marco Politi: Në dekadat e fundit marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Moskës janë zhvilluar me shumë oshilacione. Ka patur një periudhë afrimi të ndjeshëm në kohën e drejtimit të Presidentit Mihaill Gorbaçov. Pastaj marrëdhëniet pësuan një ngrirje, meqenëse Papa Gjon Pali II konsiderohej në atë kohë si personifikimi i politikës së Polonisë katolike, që pikësynonte ripushtimin e territoreve të cilat përfshiheshin dikur në përbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik. Kur në fronin papal erdhi Benedikti XVI pasoi një fazë më "e matur" në marrëdhëniet dypalëshe. Ndërsa tani të gjithë janë në pritje të ethshme, meqenëse duan të kuptojnë nëse do të gjejë mishërim në jetë ëndrra e shenjtë e shumë Papëve për të vizituar Moskën. Pikërisht për këtë arsye takimit të parë të Presidentit Putin dhe Papa Françeskut i kushtohet një vëmendje e madhe.

Korrespondenti i "Zërit të Rusisë": Dihet tashmë se Papa Françesku i shkroi një letër Presidentit rus, në të cilën ka njohur rolin udhëheqës të Rusisë në arenën ndërkombëtare. Sipas mendimit Tuaj, vizita e Putinit mund të çojë në ndonjë ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Vatikanit?

Gazetari Marco Politi: Ndryshe nga Benedikti XVI, i cili nuk ishte shumë aktiv në skenën ndërkombëtare, Papa Françesku, në të kundërtën, ka për qëllim të rikthejë Selinë e Shenjtë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai e demonstroi fare haptazi këtë kur dënoi fuqimisht intervencionin e mundshëm të shteteve perëndimore në Siri. Nga njëra anë, Pontifiku artikuloi me zë të lartë mendimin që mbizotëron në shoqërinë perëndimore, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Unë kam parasysh në këtë rast aspiratat e shumicës së njerëzve të zakonshëm dhe kurrsesi jo të qeverive të tyre. Në të njëjtën kohë, pozicioni i tij përkoi me strategjinë e Rusisë, e cila propozoi zgjidhjen paqësore të problemit sirian. Si rezultat, tani po zhvillohet intensivisht kërkimi i rrugëve që synojnë nxjerrjen e armëve kimike nga Siria, asnjëra prej të cilave nuk parashikon intervencionin ushtarak kundër këtij vendi.

Korrespondenti i "Zërit të Rusisë": A besoni Ju se në të ardhmen e afërt mund të mbahet një takim mes Papa Françeskut dhe Patriarkut rus Kirill? Ku do të jetë i mundur, në këtë rast, ky takim historik?

Gazetari Marco Politi: Në Vatikan ushqejnë shpresën se takimi mes Papës dhe Patriarkut rus do të mund të organizohet në një territor neutral. Ndoshta ai do të mbahet në Austri ose në Hungari. E padyshimtë mbetet një gjë: Papa Françesku ka ndërmend të ringjallë dialogun me të gjitha kishat orthodhokse.