Hetimi i parë i çështjes së atentatit ndaj jetës së John F. Kennedy u zhvillua në ndjekje të gjurmëve të freskëta të vrasjes në vitin 1964. Komisioni nën drejtimin e Shefit të Drejtësisë amerikane, Earl Warren, njoftoi se Lee Harvey Oswald ishte një vrasës i vetmuar. Amerikanët i besuan atëhere personave zyrtarë. Filluan të dyshojnë ata vetëm në kapërcyell të viteve 1960 dhe 1970, kujton gazetari David Talbot, autor i librit me titull "Brothers: The Hidden History of the Kennedy Years".

- 13 vjet pas vrasjes së Presidentit John Kennedy e vërteta rreth ngjarjeve të asaj kohe filloi të dalë në sipërfaqe. Ky ishte rezultat i krizës politike në Shtetet e Bashkuara për shkak të luftës në Vjetnam, për shkak të skandalit Watergate gjatë presidencës së Nikson-it. Kriza çoi në "krisjen" e vetë sistemit dhe prej plasaritjeve të saj filloi të dalë në shesh e vërteta lakuriqe.

Njerëzit kërkonin me këmbëngulje të mësonin të vërtetën. Prandaj Presidenti Ford u detyrua të iniciojë një hetim të ri të çështjes Kennedy. Me këtë punë u angazhua Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. Siç rezulton prej konkluzioneve të tij, Kennedy u vra si rezultat i një konspiracioni, ndërsa Lee Harvey Oswald ishte thjesht ekzekutues. Emrat e komplotistëve nuk u bënë publikë, prandaj teoritë e veta filluan t’i propozojnë autorët e hetimeve private. Nisi të qarkullonte një version i tillë, sikur vrasjen e Kennedy e porositi Mafia: Presidenti Kennedy nisi të luftonte në mënyrë aktive kundër krimit të organizuar, ndërsa refuzimi i tij për të përmbysur Fidel Castro çoi në faktin se mafia humbi një biznes të madh në Kubë. Kundër Presidentit ishin edhe manjatët e naftës të Teksasit: John Kennedy kishte ndërmend të shfuqizonte përjashtimet tatimore për sosjen e pasurive të nëntokës, për shkak të të cilit ata do të kishin humbur shuma të mëdha parash. Më shpesh teoricienët e konspiracionit janë të prirur të akuzojnë CIA-n për vrasjen e Kennedy-t. Motive për këtë Agjencia e Inteligjencës kishte jo pak: pakënaqësia e lidhur me politikën ndaj Kubës, veprimet e tij gjatë "Luftës së Ftohtë" me Bashkimin Sovjetik dhe ngurrimi, mosdëshira e Presidentit për të filluar operacionin ushtarak në Vjetnam. Por arsyeja kryesore për të dyshuar tek CIA ishte gënjeshtra e udhëheqjes së saj, e cila ka mohuar në mënyrë kategorike çdo kontakt të Agjencisë së Inteligjencës me Lee Harvey Oswald. Në vitin 1962 ai u kthye në Shtetet e Bashkuara nga Bashkimi Sovjetik. Agjentët e CIA-s ishin të detyruar ta merrnin në pyetje dhe ta verifikonin personin, i cili kishte ikur nga vendi në Bashkimin Sovjetik, pat jetuar atje disa vjet dhe pastaj u kthye sërish në Shtetet e Bashkuara. Por në CIA deklaronin se nuk e kishin marrë kurrë në pyetje atë.

Të gjitha këto versione vazhdojnë të diskutohen deri më tani në SHBA, por jo në nivel zyrtar. Konkluzionet e Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së nuk kanë marrë akoma statusin zyrtar: fëmijëve amerikanë në shkolla ende u mësojnë se Lee Harvey Osvald ishte një vrasës i vetmuar i Presidentit. Dhe as që duhet pritur që në 50 vjetorin e vrasjes së John Kennedy-t të zbardhet ndonjë gjë. Autoritetet amerikane dhe shërbimet sekrete, aktivitetin e të cilave e kanë demaskuar dhe bërë publik "WikiLeaks" dhe Edward Snowden, ndodhen nën goditje. Nëqoftëse në Shtëpinë e Bardhë, CIA dhe FBI e dinë se kush e vrau Kennedy-n, tani ato nuk do të tregojnë kurrsesi për këtë. Sepse menjëherë lind natyrshëm pyetja, pse kanë heshtur ato për një kohë kaq të gjatë.