Vladimir Putin do të dëshironte ta bindte Benjamin Netanjahun që të pranojë marrëveshjen e re të ndërmjetme të arritur midis "Gjashtëshes" së ndërmjetësve të Kombeve të Bashkuara (në të cilën përfshihen Rusia, SHBA, Kina, Britania, Franca plus Gjermania) dhe Teheranit. Në dokumentin e përpiluar është përcaktuar anulimi i pjesshëm i sanksioneve aktualisht vepruese kundër Iranit në këmbim të heqjes dorë prej tij nga zhvillimi i programit bërthamor dhe pranimit të kontrollit të plotë mbi të nga ana e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA). Por Kryeministri izraelit, ka shumë gjasa, të ndërmarrë përpjekjen për të bindur Presidentin rus që të mos i mbështesë marrëveshjet me Iranin, të drejtuara për rregullimin e "problemit bërthamor" të tij.

Është vështirë të thuhet se çfarë rezultati shpreson të arrijë në Rusi Netanjahu. Moska e ka bërë tashmë zgjedhjen e vet - në favor të zgjidhjes së çështjes iraniane. Tani është bërë krejtësisht e qartë se me kërcënimin e sanksioneve është e pamundur të zgjidhet problemi bërthamor i Iranit, tha në prag Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov. Rusia ka bërë thirrje që prej kohësh për t’i njohur Iranit të drejtën e zhvillimit të energjetikës bërthamore paqësore me kusht të vendosjes së kontrollit mbi të nga ana e ANEA. Sanksionet kundër Iranit do të hiqen me etapa, në varësi të plotësimit prej tij të detyrimeve të marra mbi vete në kuadër të kufizimit të programit bërthamor. Dhe tani këtij qëllimi i jemi afruar si kurrë ndonjëherë më parë, tha Lavrov:

- Ka jo pak njerëz të cilët nuk janë merakosur, trishtuar fort në lidhje me dështimin e këtij procesi. Por takimi i ardhshëm kushtuar programit bërthamor iranian, i cili do të fillojë në Gjenevë në 21 nëntor, do të ketë në tavolinën e bisedimeve dokumentet konkrete që u diskutuan në takimin e mëparshëm.

Për ta bindur Netanjahun po përpiqet aktivisht tani edhe SHBA-ja. Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, ka pranuar me gojën e vet se kohët e fundit ai pothuajse çdo ditë flet në telefon me Kryeministrin izraelit. Ata, meqë ra fjala, njihen mirë me njëri-tjetrin për më shumë se 30 vjet. Pas takimit në Uashington me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë më 18 nëntor, Kerry deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin kurrë ndogjë veprim të tillë që do të minonte sigurinë e Izraelit:

- Që kur isha senator unë në 100% të rasteve kam votuar gjithmonë në mbështetje të miqve tanë izraelitë. Mund t'i siguroj miqtë tanë dhe gjithë të tjerët se asnjë nga ata hapa, që ne po ndërmarrim tani, nuk do të përbëjë rrezik kërcënues suplementar për Izraelin. Në të kundërtën, ne jemi mëse të bindur se kjo (Marrëveshja e ndërmjetme mbi çështjen bërthamore të Iranit) do të minimizojë rrezikun.

Netanjahu vetë është shprehur vazhdimisht se marrëveshja e propozuar është një "marrëveshje e keqe" dhe se ai nuk do ta pranojë atë. Izraeli do të jetë i gatshëm të garantojë në mënyrë të mëvetësishme sigurinë e shtetit hebre. Kurse kjo do të thotë se ai nuk do të ndalet para dhënies së goditjeve preventive (parandaluese) ​​ushtarake mbi objektet bërthamore të Iranit. Shumë analistë mendojnë se Kryeministri izraelit thjesht po bën bllof tani. Por ndërkohë të gjithë ata janë mëse të bindur se gjatë kohës së kryesimit të qeverisë izraelite prej Benjamin Netanjahut do të jetë shumë i vështirë promovimi i marrëveshjeve me Teheranin.