Ish-gruaja e Mbretit aktual të Arabisë Saudite Abdullah bin Abdul Aziz Al-Saud - Princesha Anud al-Fayez - është me prejardhje nga një familje fisnike jordaneze. Në vitin 2003 ajo, duke qenë tashmë e divorcuar me ish-bashkëshortin e vet mbretëror, u detyrua të largohet nga Arabia Saudite dhe që prej asaj kohe jeton në shtëpinë e saj në Londër.

Por gjatë gjithë këtyre viteve në jetën e ish-bashkëshortes së mbretit nuk ka vend për gëzim. Siç i tregoi "Zërit të Rusisë" Princesha Anud, ajo tërë kohës vazhdon të mendojë për fatin e katër bijave të saj. Gjatë intervistës me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" bashkëbiseduesja jonë në mënyrë të përsëritur nuk mund t’i mbante dot lotët.

A keni ndonjë informacion mbi gjendjen dhe kushtet e jetesës së bijave Tuaja?

- 12 vjet bijat e mia mbahen të ngujuara brenda katër mureve të shtëpisë. Ky është vullneti i atit të tyre - Mbretit aktual të Arabisë Saudite dhe djemve të tij nga martesat e tjera. Shëndeti i vajzave është përkeqësuar shumë në vitet e fundit. Dy nga ato sëmuren shpesh, gjendja e tyre fizike është e tmerrshme. Ato jetojnë në izolim të plotë nga bota e jashtme dhe shoqëria, si në burg, në një kështjellë të madhe në qytetin e Jeddah. Ato nuk kanë madje as edhe një njeri që të mund t’u shërbejë. Ju e njihni mirë shoqërinë tonë, në të cilin një grua nuk mund të bëjë dot asgjë vetëm (në shoqërinë saudite gruaja nuk mund të dalë nga shtëpia - vetëm e shoqëruar nga burrat - shënim i redaktorit). Ato janë lënë në mëshirë të fatit, pa asnjë ndihmë, madje as ajër të kondicionuar nuk u ofrojnë atyre në atë vapë të tmerrshme. Unë e di se kundër tyre po zhvillohet një luftë e pamëshirshme psikologjike. Ato po e paguajnë këtë çmim kaq të shtrenjtë për divorcin tim me babanë e tyre.

A keni Ju ndonjë mundësi për të komunikuar me bijat tuaja?

- Po, ne flasim në telefon. Babai i tyre ua lejon tani për tani këtë gjë. Ai ia ka lejuar këtë për të demonstruar në sytë e botës se sa njeri i mëshirshëm është, që i lejon vajzat edhe të bisedojnë me nënën e tyre. Ai madje ka hedhur në qarkullim një thashethem të tillë, se në qoftë unë do të kthehesha në Arabinë Saudite ai do të më lejonte të jetoja me bijat e mia.

Unë jam përpjekur shumë herë të shkoj në Arabinë Saudite, por rezulton se të gjitha ambasadave ua kanë ndaluar rinovimin e pasaportës sime të jashtme. Familja Mbretërore mundi të ndalojë bile edhe Jordaninë (Anud al-Fayez është shtetase e Jordanisë - shënim i redaktorit) për të zgjatur afatin e veprimit të pasaportës sime jordaneze, me qëllim që unë të mos kem mundësi të kthehem as në vendin tim.

Çfarë do të dëshironit t’i thonit Ju personalisht audiencës së "Zëri i Rusisë" dhe gjithë botës?

- Unë apeloj tek bashkësia ndërkombëtare. Katër vajzat e mia janë ngujuar brenda mureve të shtëpisë dhe ky është një problem humanitar. Vajzat e mia janë të destinuara për një vdekje të ngadaltë dhe të mundimshme, pasi shëndeti i tyre është shkatërruar përfundimisht. (Fillon të qajë). Mundohuni të përfytyroni për një moment se fëmijët tuaj i ka pllakosur e keqja, se ata janë në hall të madh, ju thërrisni për ndihmë, por zërin tuaj sikur nuk e dëgjon askush...