Ekspertët në momentet aktuale shprehin disa supozime rreth shkaqeve të rrëzimit të avionit: gabimi gjatë pilotimit, disfunksionimi teknik i pajisjeve të aeroplanit, karburanti i cilësisë së dobët, operimi i gabuar i shërbimeve të dispeçerisë ajrore në tokë dhe kushtet e këqija të motit. Versionin e sulmit terrorist specialistët e kanë përjashtuar. Ndërsa versioni kryesor tani për tani mbetet faji i ekuipazhit, vë në dukje eksperti i Komitetit për Transportin i Dumës Shtetërore të Federatës Ruse, Roman Gusarov:

- Sipas informacionit në dispozicion, shkaku i katastrofës ajrore në të vërtetë u bë gabimi i ekuipazhit në pilotimin e avionit. Nga natyra e këtij incidenti mund të konkludohet se ai është i ngjashëm me atë që ndodhi në Perm: avioni me shpejtësi të madhe në pozicion vertikal u përplas me tokën.

Katastrofa ajrore në fjalë ndodhi në qytetin e Perm në shtator të vitit 2008. Atëhere "Boeing-737" i kompanisë ajrore "Aeroflot-Nord" u rrëzua ndërsa po kryente aterimin pranë aeroportit. Siç u sqarua më vonë, shkas për këtë u bë humbja e orientimit në hapësirë nga ana e ekuipazhit. Megjithatë, difekti teknik në bordin e avionit tani për tani nuk mund të përjashtohet: ka shumë mundësi të kenë lindur probleme me krahun apo pajisjet e navigavionit të avionit. Ndërmarrja e rrethit të dytë të fluturimit për realizimin e aterimit në një situatë të tillë dukej mjaft e logjikshme. Por pikërisht ai dhe përcaktoi përfundimin fatal të manovrimit. Kur ndodhi shkyçja e sistemit të autopilotimit avioni humbi shpejtësinë dhe fluturoi me hundë tëposhtë.

Të gjitha këto fakte na rikthejnë tek dy versionet kryesore të rrëzimit, theksoi Kryeredaktori i revistës "Fluturimi" (russ. "Взлет") Andrei Fomin:

- Në bazë të dëshmive të para dhe video-filmimit të kamerës së aerodromit, që iu demonstrua ekspertëve, bëhet pak a shumë e qartë se si ndodhi përplasja e avionit me tokën në etapën përfundimtare. Por shkas për këtë mund të jenë bërë si rrethanat e natyrës krejtësisht teknike, ashtu dhe faktori njerëzor. Paralelizmi me fatkeqësinë e tmerrshme në Perm në këtë fazë nuk është tërësisht i saktë. Aeroplani ishte me të vërtetë i njëjtë, por në atë rast ndaj vetë makinës me krahë nuk kishte kurrfarë pretendimi.

"Boeing 737", që u rrëzua në Kazan, u ndërtua në vitin 1990. Ai është përdorur nga kompanitë ajrore në Francë, ka fluturuar në Ugandë, Brazil, Rumani dhe Bullgari. Dhe pikërisht ky fakt ka dhënë shkas për të folur mbi gjendjen e keqe teknike të avionit. Megjithatë lidhja e drejtpërdrejtë e gjendjes teknike të avionit me datën e vënies së tij në funksionim dhe vendet e shfrytëzimit të aeroplanit në jetën e tij të mëparshme është e gabuar. Gjendja teknike e avionit mund të përcaktohet pasi të sqarohet se ku, kur dhe si është siguruar mirëmbajtja teknike e tij.