Në muajt e fundit ushtria siriane ka arritur t’i zmbrapsë në mënyrë të dukshme forcat e opozitës. Nga pikëpamja ushtarake herët a vonë kjo duhej të ndodhte.

Që në verën e vitit 2011, kur opozita nisi fushatën e armatosur kundër ushtrisë së rregullt siriane, qëllimi i saj nuk ishte aspak arritja e fitores ushtarake, por detyrimi i Bashar Al-Assad për t’u largur me pahir nga pushteti. Dhe le të besojnë deri tani militantët e thjeshtë (pa grada) se për fitoren është i mjaftueshëm entuziazmi dhe njohuritë fillestare të qitjes me automatik. Ushtarakët profesionistë mendojnë ndryshe.

Oficerët, të cilët kaluan në anën e kryengritësve, kur filluan veprimet luftarake kundër ushtrisë së rregullt e kuptonin për mrekulli se konfirmimet e udhëheqjes së opozitës mbi aftësinë e saj për të rrëzuar regjimin në pushtet me anë të forcës nuk janë gjë tjetër veçse një deklaratë politike. Madje edhe duke bashkuar forcat dhe duke marrë një ndihmë të konsiderueshme nga jashtë, rebelët nuk kanë pasur kurrë shans për t’u shndërruar në një forcë të aftë për t’i rezistuar ushtrisë së rregullt.

Përveç qindra avionëve dhe helikopterëve luftarakë, sipas llogaritjeve më modeste, rebelëve u bën ballë një ushtri e rregullt prej 150.000 ushtarakësh si 100.000 vullnetarësh jo më pak të aftë se ata në artin luftarak. Përveç të tjerash, ushtria siriane është e pajisur me rreth 5.000 tanke, 2.500 automjete luftarake të këmbësorisë, 500 autoblinda. Ushtria ka komandën e vet të përgjithshme, sistemin e furnizimit dhe të komunikimit (ndërlidhjes). Ajo zotëron një sistem vlerëplotë të trajnimit ushtarak dhe kjo e bën atë të plotësojë në mënyrë efektive humbjet që pëson.

Vetë rebelët, sipas vlerësimeve të ndryshme, numërojnë në radhët e njësive të veta më shumë se 30 mijë militantë (sipas vlerësimeve të shërbimeve të zbulimit të Francës dhe Shteteve të Bashkuara), kurse sipas njoftimeve të Jane’s deri në 100.000 vetë. "Konsolidimet" dhe "bashkimet" e fundit demonstrative të njësive luftarake të opozitës siriane nuk i kanë bërë ndonjë përshtypje të madhe ushtarakëve sirianë. Për ushtrinë nuk ka rëndësi se kush është kundërshtari i saj - xhihadistët apo kryengritësit e "drejtë". Sado të rëndësishme dhe të sakta të jenë shifrat e "trupave" të kundërshtarit, ato veprojnë të ndara. Ja e tillë paraqitet tablloja aktuale në Siri.

Një ndër faktorët kryesorë të suksesit është furnizimi i trupave. Jo shumë kohë më parë njësitë e trupave opozitare kishin kanale të qëndrueshme furnizimi. Por siç ndodh gjithmonë, si për inat, pengesë u bë aktivizimi i ndjeshëm në Siri i grupeve të lidhura me "Al-Qaeda". Rezultati i kësaj është mëse i parashikueshëm. Perëndimi filloi të tregohet jashtëzakonisht i kujdesshëm me ndihmën e vet për opozitën. Por, çka është më e rëndësishmja, shembullin e tij, me sa duket nga të gjitha, po e ndjek Turqia.

Shembulli i fundit - tani ushtria siriane po e fut "në darë" qytetin e Aleppo, kurse korrespondenti i Agjencisë informative Associated Press transmeton ankesat vijuese të rebelëve: rrjedha e furnizimit të armëve dhe municioneve nëpërmjet kufirit me Turqinë ka rënë deri në minimum "për shkak se Ankaranë po e shqetëson gjithnjë e më shumë rritja e dukshme e rolit të ekstremistëve islamikë".

Por a kanë vallë ndonjë shans forcat opozitare për të ndaluar avancimin e trupave të ushtrisë së rregullt siriane në Aleppo dhe drejtime të tjera nëse do të rifillojnë furnizimet për to nga Turqia? Sipas të gjitha shenjave evedente aktuale - jo.