Deri në momentet aktuale BE-ja është përmbajtur nga bërja e deklaratave haptazi. Është folur mbi mosgatishmërinë për pranim në zonën Shengen të këtyre apo atyre shteteve, për domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave, mbi çështjet e migrimit, situatën e komplikuar në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian - kjo listë mund të vazhdojë gjatë. Por tani maskat e korrektësisë politike, me sa duket, janë hequr. Fillimisht Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, në një intervistë me kanalin televiziv francez TF1 deklaroi se "në vitin e ardhshëm as Bullgaria dhe as Rumania nuk do të hyjnë në zonën Shengen", meqenëse për pranimin e këtyre vendeve në Marrëveshjen e Shengenit "ka një kundërshtim, rezistencë si shumë të madhe në BE". Barroso rikujtoi se në tetor të këtij viti kundër një hapi të tillë dolën Gjermania, Franca dhe Holanda.

Ndërsa më pas Përfaqësuesi zyrtar i Komisionit Evropian, Frederic Vincent, në vend që të përpiqej për të zbutur situatën, i hodhi edhe më shumë benzinë zjarrit duke u njoftuar gazetarëve fjalë për fjalë si vijom: "Opinioni i Komisionit Europian vazhdon të mbetet ai i mëparshëm: Bullgaria dhe Rumania janë gati për t'u bashkuar me Shengenin. Por në momentet aktuale në BE është krijuar një situatë e tillë, si rezultat i së cilës hapësira e zonës Shengen nuk mund të zgjerohet deri në vitin 2014. BE-ja nuk është e gatshme për këtë". Përkthyer nga gjuha diplomatike kjo nënkupton se edhe Bukureshti, edhe Sofja e kanë kryer punën e nevojshme përgatitore për pranimin në zonën Shengen. Por "Treshja" udhëheqëse e BE-së, e përfaqësuar nga Gjermania, Holanda dhe Franca (me të cilën, sipas disa informatave në qarkullim solidarizohen Austria dhe Finlanda) i atribuoi vetes të drejtën të flasë në emër të BE-së dhe të hedhë poshtë, të mohojë rekomandimet e mëhershme të Komisionit Evropian, të cilat hapnin për bullgarët dhe rumunët dyert e Shengenit me kusht të plotësimit prej tyre të kërkesave tej mase konkrete me karakter thjesht teknik.

S’ke se çfarë të thuash në këtë rast - situata është skandaloze dhe eksponenciale. Bashkimi Evropian po demonstron haptazi synimin për të ndryshuar rregullat gjatë procesit të lojës dhe për të rishikuar vendimet e mëparshme në favor të koniunkturës politike. Duke përkëdhelur me njërën dorë delegacionet e republikave të ish-Bashkimit Sovjetik të ftuara në Samitin e "Partneritetit Lindor" në Vilnius më 28-29 nëntor, Brukseli në të njëjtën kohë jep të kuptojë qartë se as zëri i shteteve evropianolindore, as aktivitetet e tyre për reformimin e ekonomisë apo sferës ligjore nuk janë të ndonjë rëndësie vendimtare për BE-në. Gjithçka vendoset nga "Trojka" bazuar në gjykimet dhe konsideratat e saj vetiake të brendshme politike, llogaritë dhe fobitë.