Mbi përshtypjet e tij rreth kësaj bisede dhe arsyen se përse me Oswald nuk dëshironin të bashkëpunonin agjencitë e zbulimit ai tregoi në intervistën e vet ekskluzive me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë".

- Të gjitha përshtypjet e mia rreth personit të tij mund të përmblidhen në përcaktimin vijues: ai ishte një person i tipit neurotik, i prirur, ndoshta, për manifestime të sjelljes histerike. Gjatë bashkëbisedimit tonë atij i dridheshin dukshëm duart. Ndjehej se ai ishte tejet i eksituar. Dhe në të njëjtën kohë Lee Harvey Oswald ndodhej gjoja në një gjendje depresive. Por, përsa i përket gjendjes së tij mentale, ajo, duhet thënë, ishte mëse adekuate dhe nuk të ngjallte kurrfarë dyshimi. Unë kam studiuar materialet e dosjes, e cila u hap nga KGB-ja me ardhjen e tij në Bashkimin Sovjetik (nga viti 1959 e deri në vitit 1962 Lee Harvey Oswald ka jetuar në Minsk, Bjellorusi). Materialet e dosjes dëshmojnë se ai dallohej për këmbënguljen e vet për të arritur qëllimin që shtronte përpara vetes. Kur në rrugën e tij drejt objektivit të synuar lindnin ndofarë pengesash, ai i kapërcente ato me një këmbëngulje që është me të vërtetë për tu patur zili. Ai mund të mobilizohej dhe përqëndronte të gjitha forcat e përpjekjet për të përmbushur detyrën që vinte përpara vetes.

- Lee Harvey Oswald kishte kontakte me CIA-n dhe KGB-në. Por agjencitë e zbulimit vendosën të mos e përdorin atë për qëllimet e tyre. Si mendoni Ju, pse?

- Ai nuk vlerësohej si një kandidat i denjë për të vendosur me të ndonjëfarë bashkëpunimi. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Bashkimin Sovjetik KGB-ja e ka survejuar me kujdes të madh atë, por nuk ndërmorri hapin për vendosjen e kontaktit me të. Përsa i përket shërbimeve amerikane të inteligjencës, në periudha të ndryshme ai ka qenë në fushëpamjen e CIA-s dhe FBI-së. Kjo ka ndodhur pas kthimit të tij nga Bashkimit Sovjetik. Që kur kryente shërbimin në trupat e Marinës, ai ishte vënë në fokus të shërbimeve sekrete të Forcave Ushtarake Ajrore (FUA) dhe Forcave Ushtarake Detare (FUD) amerikane. Si përfundim, edhe nga shërbimet sekrete të FUA, edhe të FUD ai dyshohej për bashkëpunim me palën tjetër. Kjo ka luajtur një rol kyç në faktin se ai nuk u përfshi në listën e personave, të cilët duhet të konsideroheshin si potencialisht të rrezikshëm gjatë vizitës së Presidentit John Kennedy në Dallas. Atë mund ta kenë kuadruar në listën e zezë të personave të dyshuar për spiunazh. Kjo duhet të kihet patjetër parasysh kur thonë se shërbimet e sigurisë për neglizhencë apo për shkaqe të tjera nuk parandaluan dot veprimet e tij gjatë kohës së vizitës së Presidentit. Kurse pas vdekjes së Lee Harvey Oswald, shërbimet e inteligjencës të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik e përdorën aktivisht emrin e tij në fushatat e veta propagandistike kundër njëri-tjetrit. Filluan të duken gjithfarë materialesh, në të cilat flitej se shërbimet e sigurisë të njërës prej palëve kishin gisht në atë që ai bëri në Dallas. Por gjatë kësaj nuk përmendeshin kurrfarë argumentesh konkrete, bindëse. Këto janë metoda tipike të propagandës gri dhe e zezë.