Sekretari i Përgjithshëm i OMB-së, Michel Jarraud, tërhoqi vëmendjen në rritjen e përqendrimeve në atmosferë të gazeve që shkaktojnë efektin serrë dhe shtoi: "Neve na pret një e ardhme e nxehtë".

Në gjysmën e dytë të shekullit XXI vapa (i nxehti) anomale do të bëhet praktikisht një fenomen i përvitshëm, i cili do të vërehet në 60% të sipërfaqes së Tokës. Çfarë nuk do të digjet - do të fundoset. Sipas të dhënave të OKB-së, niveli global i detit është në një rritje prej 3.2 milimetra në vit - dy herë më shpejt se në shekullin e kaluar. Kohët e fundit revista "National Geographic" ka publikuar parashikimin e ndryshimeve të panoramave gjeografike të planetit. Nëqoftëse si rezultat i ngrohjes globale do të shkrijnë akujt polarë, atëhere nën ujë do të ndodhen pothuajse të gjitha zonat bregdetare, ku tani jeton një përqindje e madhe e popullsisë botërore. Dhe i gjithë ky ujë do të jetë pothuajse i pajetë, ashtu si 3.5 miliardë vjet më parë. Ja se çfarë thotë biofizikani rus Aleksei Karnauhov:

- Zhduken jo ato hallka të zinxhirit natyror, të cilat janë të përhapura gjithkund, por ato që janë tashmë në prag të mbijetesës. Për shembull, rreth 90% e dioksidit të karbonit thithet nga atmosfera prej gati 80 speciesh plankton. Këto specie janë shumë të varura nga temperatura dhe aciditeti i ujit. Ndryshimet në këto parametra do të shkaktojnë vdekjen e plankton-eve. Ne as që do ta vëmë re zhdukjen e tyre, edhe pse pasojat e kësaj zhdukjeje janë shumë serioze.

Një nga shkaqet kryesore të sosjes së oqeaneve është kapja e sasive jashtëzakonisht të mëdha të peshkut. Ka të dhëna që dëshmojnë se numri i peshqve të mëdhenj (Ton, Marlin, Merluc, Halibut (Shojzë e Atlantikut Verior) ka rënë që nga viti 1950 me 90%. Flotiljet e peshkimit janë orientuar tani në kapjen e peshqve më të vegjël të tillë si sardelet, acciughe-t dhe harengat. Ndërsa ata ushqehen pikërisht me plankton. Shkëputja e një hallke jashtëzakonisht të rëndësishme nga mesi i zinxhirit ushqimor minon në rrënjë tërë ekosistemin.

Por gjëja më e tmerrshme nuk konsiston madje as në faktin se ne do të kemi një ekosistem primitiv oqeanik pas kësaj, thotë Aleksei Karnauhov:

- Në qoftë se ne nuk do të kufizojmë veten në konsumin e burimeve natyrore (përfshirë edhe hidrokarburet), atëhere oqeanet thjesht do të shterrojnë. Kjo do të ndodhë në 300 vjet. Det, si të tillë, nuk do të ketë më. Ngrohja globale do të kalojë në fazën e pakthyeshme të katastrofës së gazit serrë. Dhe Toka do të shndërrohet atëhere në një lloj Venusi, në sipërfaqen e të cilit është e pamundur ekzistenca e çdo forme jete të zakonshme në përfytyrimin tonë.