Në librin e tij të ri me titull "Njeriu prej 2063" (angl. "The Man From 2063") Duffy sjell prova të reja si dhe gjykime e përsiatje në lidhje me temën se si do të ishte tani Amerika nëse Kennedy do të kishte mbetur gjallë.

- Ka shumë versione të vrasjes së John Kennedy. Cilin prej tyre do të cilësonit Ju si më të mundshëm?

- Unë jam i bindur se në konspiracion janë përfshirë bashkëpunëtorë të CIA-s, përfaqësues të grupeve mafioze dhe kubanezët që dilnin kundër Fidel Castro-s. Ka dëshmi të shumta se këta njerëz ishin përfshirë në komplot.

- Pra, Ju nuk mendoni se Lee Harvey Oswald ishte një vrasës i vetmuar?

- Ka prova faktike që dëshmojnë se Oswald nuk ishte snajperi i vetëm. Unë besoj se Lee Harvey Oswald ishte një "rosë e rreme ndjellëse apo karrem". Dhe atë e përdorën në rolin e dashit për kurban pikërisht ata që organizuan në të vërtetë vrasjen e Presidentit Kennedy.

- Është mëse evidente se vdekja e Kennedy i leverdiste shumëkujt, si në SHBA ashtu dhe jashtë vendit. Por kush, sipas mendimit Tuaj, përfitoi më shumë nga vrasja e Presidentit?

- Lyndon Baines Johnson fitoi më shumë se kushdo tjetër, sepse ai u bë president. Shumë besojnë se ai ishte i përfshirë në organizimin e vrasjes. Unë nuk jam i sigurt nëse është me të vërtetë kështu, por disa prova të caktuara në favor të këtij versioni ekzistojnë megjithatë.

CIA, sigurisht, kishte motivim për ta hequr qafe John Kennedy - ajo ishte e pakënaqur për shumë arsye me të: me veprimet e tij në kohën e Luftës së Ftohtë me Rusinë, në lidhje me qëndrimin ndaj Kubës dhe Fidel Castro-s. Në CIA kërkonin me këmbëngulje që ai të hiqte qafe Castro-n, gjë të cilën Presidenti nuk e bëri. Përveç kësaj, vetëm pak kohë para vdekjes së vet Kennedy deklaroi mbi synimin për të filluar operacionin për tërheqjen e trupave amerikane nga Vjetnami i Jugut, ndërsa CIA ishte krejtësisht kundër kësaj. Kështu që Agjencia kishte plot arsye për të synuar eliminimin fizik të Kennedy.

Arsye për vrasjen e John Kennedy kishte edhe mafia. Vëllai i presidentit, Robert Kennedy, i përndiqte rreptësisht, pa kurrfarë mëshire mafiozët. Ai burgosi ​​shumë anëtarë të organizatave mafioze, edhe pse ata, nga ana e vet, e ndihmuan John Kennedy të fitojë zgjedhjet dhe të bëhet president.

Rebelët kubanë, të cilët dilnin kundër Castro-s, gjithashtu mund të kenë dashur ta heqin qafe Kennedy - atyre nuk u vinte aspak për mide politika e tij në Luftën e Ftohtë dhe ajo që ndiqej ndaj Kubës.

- A mendoni Ju se vrasja e Kennedy ka ndikuar në rrjedhën e historisë amerikane? Nëse do të kishte qenë John Kennedy i gjallë, sa e ndryshme nga ajo e sotme mund të kishte qenë historia e Shteteve të Bashkuara?

- Deri sot e kësaj dite flitet shumë në lidhje me atë se çfarë mund të kishte ndryshuar në qoftë se Kennedy nuk do të ishte vrarë. Mendimi im personal - dhe shumë pajtohen plotësisht me të - dallimi kryesor do të kishte qenë Lufta e Vjetnamit. Unë besoj se në qoftë se Kennedy do të kishte mbijetuar, ai do t’i kishte tërhequr trupat tona prej andej. Ndërsa Lyndon Baines Johnson bëri pikërisht të kundërtën: ai i dha luftës një impuls, shtysë të re, ndërsa SHBA-ja e humbi atë, atëhere humbën jetën 58.000 njerëz - dhe nuk dihet se për hir të çfarë kauze.