Ekspertët e dinë fort mirë se afati i nxjerrjes në orbitë të aparateve të reja hapësinore vazhdimisht "rrëshqet" në të djathtë - kështu shprehen në industrinë kozmike në lidhje me shtyrjen e lëshimeve të tyre në data të mëvonshme. Por sot ne mund të konstatojmë se, pas disa vitesh mungese pothuajse të plotë në orbitë të satelitëve rusë të sondimit të distancuar të Tokës, grupimi i tyre po fillon të ripërtërihet gradualisht. Tashmë në gjendje operative janë vënë pesë aparate kozmike dhe ekzistojnë të gjitha arsyet për të besuar se gradualisht do të nisin të funksionojnë të gjithë.

Probleme, megjithatë, mbeten plot: përveç kësaj, për të rivendosur të paktën kompletin minimal të aparateve të nevojshme orbitale ne duhet në të njëjtën kohë të "avancojmë më tej" - të zhvillojmë instrumente dhe aparate të gjeneratave të ardhshme. Ndërsa me këtë punë do të duhet të presim ende - mjetet e kufizuara financiare dhe domosdoshmëria e rivendosjes së grupit të satelitëve sa më shpejt që të jetë e mundur na detyrojnë të përcaktojmë prioritetet. Ia vlen të shtohet se është planifikuar fillimi i lëshimeve të satelitëve të sistemit të diskutuar prej kohësh "Arktiku" (që përfshin dy aparate kozmike për vëzhgimin e latitudave të larta (the high latitudes) dhe "Obzor" (katër aparate, duke përfshirë edhe ato të radiolokacionit (radarë).

Paralelisht me këtë është planifikuar përsosja e sistemit të marrjes dhe përpunimit të informacionit satelitor. Qendrat e veta të përpunimit të të dhënave satelitore i kanë "Roskozmos" (në Moskë dhe Krasnojarsk), "Hidromet" (në Moskë, Novosibirsk dhe Habarovsk) si dhe disa ministri e agjenci të tjera. Në të ardhmen e afërt ato planifikohet t’i bashkojnë, t’i kombinojnë në një sistem të centralizuar, të destinuar për sondimin e distancuar të Tokës, me qëllim që të merren dhe të përpunohen në mënyrë më efikase të dhënat.

Kështu pra, ripërtëritja e sistemit po realizohet gradualisht. Por ekziston edhe një problem tjetër, për të cilën flasin shpesh ekspertët, por rrallë shkruhet në shtypin masiv, pasi ai ka të bëjë me çështje të profilit tejet të ngushtë të operimit me të dhënat e marra nga satelitët. Në vija të përgjithshme, marrja e informacionit satelitor nuk është as gjysma e punës. Pjesën më të madhe të ngarkesës do të duhet ta përballojë sistemi i përpunimit të të dhënave dhe dorëzimit porositësve të produktit të gatshëm informativ - hartave me rezolucion të caktuar me të dhënat mbi ndryshimet e objekteve të ndryshme: pyjeve, vegjetacionit, tokës. Porositës të tillë, ndër të tjera edhe në Rusi, ka shumë, por meqenëse informacion prej satelitëve rusë nuk ka patur për një kohë të gjatë, ata përdorin të dhënat e huaja. A do të jetë në gjendje vallë informacioni i marrë nga satelitët e rinj rusë të zëvendësojë tërësisht ose së paku pjesën më të madhe atij të "importit"? Përgjigjen për këtë pyetje mund ta japë vetëm koha.