Pjellë e "Luftës së Ftohtë" - pikërisht kështu mund të quhet ky sistem. Ai u krijua si kundërpeshë ndaj "Space Shuttle" të SHBA-së, i cili, sipas konfirmimeve të analistëve ushtarakë sovjetikë, mund të hidhte mbi Moskën mbushje bërthamore direkt nga orbita e Tokës. "Buran" ishte i destinuar të barazonte shanset e dy superfuqive për asgjësim reciprok, tregoi për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" akademiku i Akademisë ruse të Kozmonautikës, Aleksandër Zheleznjakov:

- Sistemi "Buran" u projektua si një sistem për lëshimin e stacioneve të rënda orbitale të destinacionit ushtarak. Kjo ishte përgjigjja jonë ndaj programit ushtarak amerikan të sistemeve sulmuese në kozmos, i cili po zhvillohej në mënyrë mjaft aktive në ato vite. Me qëllim që të mos ndodheshim të pambrojtur në rast të dislokimit të këtyre sistemeve në hapësirë dhe u krijua "Buran".

Por kur "Buran" ishte gati për fluturim, situata në botë ndryshoi. Marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit u çtensionuan, kurse ekonomia e Bashkimit Sovjetik u gjend në prag të kolapsit. Në këto rrethana ushtarakët hoqën dorë nga sistemi kozmik i përdorimit shumëherësh, ndërsa kozmonautikës civile nuk i mjaftuan të hollat dhe forcat për realizimin e sistemit "Buran". Me kalimin e kohës hoqën dorë nga zhvillimi i sistemit të tyre hapësinor të përdorimit shumëherësh edhe amerikanët.

Megjithatë sistemet me krahë të përdorimit shumëherësh kanë të ardhme në kozmonautikë, por janë duke u zhvilluar ato në një drejtim tjetër, vë në dukje eksperti ushtarak i Agjencisë informative RIA "Lajmet", Konstantin Bogdanov:

- Edhe përvoja botërore, edhe praktika jonë tregojnë se zhvillimi i sistemeve kozmike të përdorimit shumëherësh ka ndjekur rrugën e përsosjes së aparateve kozmike që rikthehen sërish në Tokë të tilla si "Soyuz" dhe "Apollo". Anijet transportuese kozmike të tipit "Buran" dolën me kosto si tepër të shtrenjtë dhe të komplikuara në përdorim.

Fati i "Buran" është i trishtueshëm. Pasi kreu fluturimin e vet të parë dhe të vetëm, ai mbeti përgjithmonë i mbërthyer me zinxhirë në tokë. Në vitin 1993 programi i tij u mbyll zyrtarisht, kurse anija kozmike mbeti përjetësisht e konsevuar në hangar. Disa vjet më vonë çatia e kësaj ndërtese u shemb dhe varrosi nën vete ekzemplarin e vetëm "Buran" që fluturoi në kozmos ​​së bashku me raketëmbajtësen. Por zbulimet dhe shpikjet, që parakaluan kohën e vet, të cilat u bënë gjatë krijimit të "Buran" do të gjejnë me siguri një ditë vendin e tyre në kozmonautikë, shprehet me bindje të plotë Aleksandër Zheleznjakov:

- Do të vijë me siguri ajo ditë kur ne do ta kujtojmë atë jo vetëm si pjesë të së kaluarës sonë historike, por edhe si pararendës, motor të gjeneratës së re të teknikës kozmike​. Ndoshta ndonjë ditë në orbitë rreth Tokësore do të shfaqet anija kozmike me mbishkrimin "Buran" në bord, shtoi ai.