Përveç kësaj, venë në dukje vëzhguesit, janë intensifikuar në mënyrë të ndjeshme mosmarrëveshjet në radhët e hebrenjve amerikanë, të cilët janë ndarë në përkrahës dhe kundërshtarë të lidhjeve me qeverinë e qendrës së djathtë izraelite. Verdikti i disa analistëve është mjaft i ashpër: SHBA-ja ka humbur pozicionin e saj si "garantuese e stabilitetit" në Lindjen e Mesme.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u zotua të shpëtojë botën nga një "marrëveshje e keqe" me Iranin. Kështu i kanë quajtur në Tel Aviv propozimet e Teheranit në lidhje me programin bërthamor, të cilat u diskutuan në fund të javës së kaluar në Gjenevë. Në fakt, Netanjahu e ka përmbushur premtimin e vet - "gjashtëshja" e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë edhe kësaj here nuk arriti dot në marrëveshje me Iranin.

Janë mjaft sinjifikative mosmarrëveshjet ekzistuese edhe në planet e SHBA-së dhe Izraelit përkatësisht Sirisë. Që në fillim të konfliktit sirian Tel Aviv nuk e ka "përkëdhelur" opinionin publik me deklarata të bujshme: vetëm herë pas here ndërmerrte sulme ajrore kundër ndonjë bazë ushtarake siriane - dhe pas kësaj binte prapë "squkë". Kurse Shtetet e Bashkuara, që kërcënonin me ndëshkime të tmerrshme Bashar Al-Assad-in, befas ndryshuan mendje për të bombarduar Damaskun - duke i vënë veshin propozimeve të arsyeshme të Moskës për transferimin e armëve kimike siriane nën kontrollin ndërkombëtar. Është plotësisht e mundur që në Izrael ta kenë pritur një kthesë të tillë në qëndrimin e SHBA-së, por pakënaqësinë nga kjo e kanë shprehur megjithatë.

Gati një gjysmë shekulli politika amerikane në Lindjen e Mesme ka ndjekur si pikësynim që të mos prishë marrëdhëniet me aleatin e vet kryesor (Izraelin) dhe në të njëjtën kohë të ruajë ndikimin në vendet arabe (të paktën në disa prej tyre). Si rezultat, "pikat e tensionit të rritur" në rajon kanë ardhur vetëm duke u shtuar në mënyrë progresive. Prandaj ne tani në vijim vërejmë një proces krejtësisht të natyrshëm: kredibiliteti i fituar i SHBA-së në Lindjen e Mesme po tronditet dhe po demostron qartë tendencën e rënies drejt zeros, mendon analisti politik Oleg Matvejçev:

- Situata është bërë fort e tensionuar, të gjitha kontradiktat janë komplikuar seriozisht, ruajtja e ekuilibrit ndërmjet arabëve dhe hebrenjve është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë. Si nga njëra palë, ashtu dhe nga pala tjetër shprehin në mënyrë të vazhdueshme pretendime. Sepse problemi nuk konsiston vetëm në përkeqësimin e marrëdhënieve të Izraelit me SHBA-në - këtyre dy vende u janë prishur tani marrëdhëniet edhe me Arabinë Saudite. Kështu pra, në parim, Uashingtoni po humbet kredibilitetin e vet të fituar në Lindjen e Mesme si njëfarë "garantues i stabilitetit".

Me të vërtetë, punët me aleatët e vet në Lindjen e Mesme SHBA-ja sot nuk i ka fort në terezi. Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit, pas të gjitha lojrave dhe premtimeve të thyera në lidhje me Sirinë, u ka mbetur hatri me Uashingtonin. Vetë Sirisë dhe Libanit fqinj si shumë zor që në të ardhmen e afërt t’u zgjohen ndjenjat e ngrohta ndaj "bastionit të demokracisë". Egjipti po përpiqet të vijë në vete pas serisë së grushteve të shtetit: Kajros, me sa duket nga të gjitha, i kanë ardhur në majë të hundës tashmë eksperimentet amerikane, dhe autoritetet egjiptiane kanë filluar përsëri të hedhin vështrimin në drejtim të Rusisë. Kështu që grindja edhe me Tel Aviv nuk i duhet kurrsesi Uashingtonit në situatën e krijuar.