Pas përfundimit të bisedimeve Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, dhe Kreu i "Gazprom-it", Aleksei Miller, njoftuan se "South Stream" do të fillojë të ndërtohet në territorin e republikës më 24 nëntor. Vendimi në fjalë është i një rëndësie thelbësore. Më herët, në fillim të nëntorit, Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Çepurin, ka akuzuar palën serbe për zvarrisjen e bashkërenditjes së afatit të fillimit të ndërtimit të "South Stream" dhe kërkoi që t’i jepet fund diskriminimit të kompanive ruse, duke përfshirë edhe "Gazprom-in".

Jo shumë kohë më parë në disa prej mediave të republikës shpërtheu një fushatë agresive informuese kundër "Gazprom-it", partnerëve të tij serbë dhe tubacionit "South Stream". Tani po bëhet krejtësisht evidente se përpjekjet për të komplikuar zbatimin e projektit dështuan me turp dhe se argumentet pragmatike triumfuan mbi ato politike. Dhe kjo nuk është aspak befasuese në funksion të kushteve të ofruara nga pala ruse. Në rastin e Serbisë fjalë bëhet për investime në gati 2 miliardë euro, skonto të çmimeve për blerjen e gazin rus dhe pagesën për tranzitin e tij nëpër territorin e vendit. Meqë ra fjala, si rezultat i vizitës së fundit të delegacionit të "Gazprom-it" në Serbi u planifikua ndërtimi i degëve të tubacionit kryesor "Rryma Jugore" në Republika Srpska, Maqedoni dhe Kosovë. Projekti i fundit është i mbarsur me rrezik të madh, sepse gjithçka do të varet nga itinerari që do të zgjidhet si përfundim për realizim, thekson profesoresha e Institutit Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës (MGIMO) Elena Ponomarjova:

- Do të jetë mirë nëse tubacioni do të kalojë nëpër territorin e veriut të Kosovës, ku jetojnë në mënyrë kompakte serbët. Në qoftë se gazsjellësi do të shtrohet nëpër gjithë territorin e Kosovës, kjo do të ketë pasoja potencialisht shkatërruese për projektin rus.

Nëse do të ndiqet kursi i bashkëpunimit të gazit me Serbinë, atëherë gazsjellësi "Rryma Jugore" do të ketë perspektiva mjaft të favorshme, mendon Elena Ponomarjova:

- Ne duhet të shikojmë veprimet konkrete që ndërmerren nga lidershipi serb. Deri tani ekzistojnë të gjitha arsyet për të thënë se këta janë me të vërtetë hapa seriozë. Për shembull, po përcaktohen ngastrat dhe tashmë është blerë një pjesë e madhe e tokave nëpër të cilat do të kalojë gazsjellësi. Janë të gatshme për të filluar nga puna kompanitë, të cilat, në fakt, dhe do të merren me shtrimin e tubacionit. Ndërsa vetë dëshira dhe pikësynimi për të filluar ndërtimin është pikërisht ai hap që flet mbi rëndësinë kombëtare të "South Stream".

Nga Serbia "South Stream" do të shkojë në Kroaci dhe Hungari, ndërsa prej andej më pas në Austri dhe Itali. Furnizimet e para të gazit nëpërmjet këtij gazsjellësi do të fillojnë që aty nga fundi i vitit të ardhshëm. Kapaciteti i plotë i tij do t’i tejkalojnë 60 miliardë metra kub në vit.