Që nga viti 2011 arbitri italian i klasit botëror Roberto Rossetti zë në Bashkimin Rus të Futbollit postin e Shefit të Departamentit të referimit dhe të inspektimit. Në një intervistë ekskluzive me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" ai tregoi për jetën dhe punën e tij në Rusi si dhe për takimet e veta me tifozët rusë.

Si do ta vlerësonit Ju përvojën e të jetuarit dhe punuarit në Rusi?

- Jam shumë i kënaqur me vendimin tim për të pranuar ofertën e Bashkimit Rus të Futbollit. Futbolli rus po zhvillohet intensivisht kohët e fundit në të gjitha nivelet. Ai i është afruar më shumë futbollit evropian. Të gjithë në vend janë në pritje të ethshme të Kampionatit Botëror të vitit 2018 dhe unë jam mëse i bindur se ai do të jetë një shans i jashtëzakonshëm për të ndryshuar në kahun pozitiv vetë Rusinë dhe për të përmirësuar futbollin e saj. Përpara na pret një punë me të vërtetë e madhe, por unë shoh përreth njerëz shumë të përgjegjshëm dhe me një dëshirë të jashtëzakonshme për të punuar për arritjen e këtij qëllimi të rëndësishëm.

Si i duket jeta në Moskë një italiani?

- Unë mendoj sinqerisht se Moska është një nga qytetet më të bukura në botë. Më pëlqen shumë të jetoj në Moskë. Unë e kam studiuar mirë atë dhe tani di se si të orientohem në këtë qytet të madh, si të lëviz me makinë, në cilat vende mund të drekohet apo darkohet më mirë. Thonë se kuzhina këtu nuk është fort e shijshme, ndërsa unë kam gjetur në Moskë restorante shumë të mira italiane. Dhe mund të them se tashmë jam mësuar edhe me kuzhinën ruse.

Njerëzit e botës së futbollit deklarojnë se arbitrat italianë janë më të mirët në botë. Çfarë mendimi keni Ju për arbitrat rusë?

- Arbitrat italianë janë, me të vërtetë, më të mirët në botë. Këtë e dëshmon historia e futbollit, në të cilën arbitrave italianë në momente të ndryshme i kanë besuar gjykimin e ndeshjeve finaleve të kampionateve më të rëndësishme. Në Itali futbolli është si feja dhe puna e arbitrave (gjyqtarëve) ndodhet gjithmonë në qendër të vëmendjes publike. Në përgatitjen e arbitrave italianë theksi vihet përherë në trajnimin e tyre të mirë fizik dhe të studiuarit e të gjitha nuancave të lojës. Pikërisht në këto sfera neve na është dashur të punojmë shumë në Rusi dhe tani ne po vërejmë një përparim të caktuar. Ne kemi arritur të bëjmë shumë dhe mjaft shpejt: në Rusi po rritet brezi i ri i gjyqtarëve (arbitrave) të kualifikuar, dhe disa prej tyre, të tillë si Sergei Karasjov, janë vënë re tashmë edhe nga UEFA.

Gjyqtarët janë gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe shpesh herë jo në kuptimin pozitiv të fjalës. A keni pasur Ju ndonjë incident të pakëndshëm të këtij lloji në Rusi?

- Jo. Kudo që kam punuar në Rusi, në të gjitha stadiumet, mua më kanë pritur gjithmonë ngrohtësisht dhe në mënyrë luajale. Menaxherët e futbollit dhe tifozët sillen me respekt ndaj meje, unë nuk kam dëgjuar kurrë ndonjë fjalë të keqe në adresën time, nuk jam ndeshur me asnjë provokim. Unë jam krenar për këtë, dhe sinqerisht, nuk mund ta imagjinoj dot një tabllo po të tillë në Itali.