Bashkëshortja e Jaser Arafatit dhe e bija kanë bërë deklarata të forta, madje të bujshme, duhet thënë, se ai u helmua. Të këtij mendimi janë edhe shumë figura në udhëheqjen e Palestinës. Arsye për këtë janë bërë të dhënat e reja të siguruara prej Komisionit qeveritar palestinez që është marrë me hetimin e rrethanave të vdekjes së Jaser Arafatit, tha Kryetari i këtij Komisioni, gjeneral Tawfik Tirawi, i cili në një të kaluar jo shumë të largët ka drejtuar një nga shërbimet kyçe të sigurisë.

Për zhvillimin e hetimit u ngritën tre grupe ekspertësh - nga Franca, Zvicra dhe Rusia. Pak ditë më parë ekspertët zviceranë dhe ata rusë ju dorëzuan raportet e tyre. Çfarë rezulton nga ato?

- Institutet kërkimoro-shkencore nga Zvicra dhe Rusia, ekspertët e të cilëve kanë punuar këtu dhe në laboratorët e tyre, kanë konfirmuar se vdekja e Jaser Arafatit nuk ishte e natyrshme. Raportet e dy instituteve të ndryshme përkuan si të paktën në tri pika, konkluzione.

Së pari, se ajo nuk ishte një vdekje natyrore. Së dyti, shkaku i kësaj vdekjeje nuk ishte ndonjë sëmundje. Së treti, arsyeja e vdekjes së Arafatit nuk qe mosha e thyer e tij.

Tani, kryesisht, të gjithë janë të interesuar të njihen me ekspertizën mjekësore, sepse paralelisht po zhvillohet hetimi nëpërmjet linjës së sigurimit. Dhe tashmë janë marrë shumë prova që dëshmojnë se Arafati është vrarë. Unë, personalisht, fajësoj për këtë vrasje Izraelin. Izraelitët kanë dashur prej kohësh ta hiqnin qafe Arafatin.

Rezultatet e ekzaminimit rus nuk dëshmojnë pa mëdyshje se Arafati është helmuar? Mos vallë pikërisht në lidhje me këtë konkluzion nuk pajtohen ekspertët zviceranë dhe rusë?

- E rëndësishme nuk është ajo për të cilën mendimet e tyre nuk përkojnë, por ajo se në çfarë konvergojnë. Përgjithësisht në raportet e tyre përmbahet konkluzioni se Arafati nuk ka vdekur për shkak të ndonjë sëmundjeje. Ne i jemi shumë mirënjohës rusëve për punën e tyre të madhe dhe shumë të mirë që kanë bërë me ekzaminimin. Ata kanë gjetur shumë fakte të reja. Këto fakte, të cilat unë nuk mund t’i zbulojë ende, duhen të studiohen nga ana jonë. Ne sigurisht kemi besim tek rusët, prandaj dhe iu lutëm atyre që të angazhohen në zhvillimin e hetimit.

A nuk është e çuditshme vallë që informacioni në lidhje me helmimin e mundshëm të Arafatit u bë publik nga stacioni televiziv i Katarit "Al Jazeera"?

- Shumë gjëra bëhen të njohura prej gazetarëve. Por më kryesorja konsiston në diçka tjetër: janë kryer ekspertiza shkencore. Dhe ne mbështetemi në rezultatet e tyre. Paralelisht ne, me forcat tona, po kryejmë një hetim më vete në fushën e sigurisë. Unë tani po merrem pikërisht me këtë punë. Ne kemi marrë në pyetje qindra njerëz. Intervistimi i dëshmitarëve po vazhdon. Dhe dua të them se janë marrë tashmë prova të reja që dëshmojnë në favor të versionit të vrasjes së Arafatit. Por na nevojitet edhe pak kohë, ka mundësi disa muaj por, ndoshta, dhe një vit. Ne duhet të mësojmë me çdo kusht të vërtetën.

Ju keni arrestuar tashmë ndokënd në lidhje me këtë çështje?

- Unë nuk mund t'i përgjigjem kësaj pyetjeje.

A dispononi vallë ju dëshmi se Arafati u vra dhe se, sipas mendimit tuaj, këtë e bëri Izraeli? Përse vendosët ju të vazhdoni hetimin?

- Ne nuk e kemi gjetur ende vetë vrasësin. Izraeli e ka porositur këtë krim. Por, padyshim, ekziston dikush që e ka kryer atë. Sepse diku është vrasësi, dreqi e mori! Ne tani jemi vënë në kërkim të njeriut që vrau Arafatin. Dhe unë shpresoj se ne do ta gjejmë atë.